Një nënë nga Mitrovica pretendon se ish burri ia ka rrëmbyer djalin e saj 9 vjeçar në Itali.
Pas gati 1 vit e gjysmë nga ndarja me ish-bashkëshortin, ajo pretendon se e ka parë të birin e saj të vetëm, vetëm një herë, të mundësuar nga Qendra për Punë Sociale në Skenderaj.
Ajo pretendon se ish-burri, bashkë me babanë e tij, e kanë kthyer atë në Kosovë më 8 shkurt 2024 pa dëshirën e saj, ndërsa djali ka mbetur në Itali me babanë.
Pavarësisht kësaj, ajo thotë se deri më tani, nuk ka marrë informacion nga asnjë institucion kosovar për vendndodhjen dhe mirëqenien e tij.
Situatën, thotë ajo, e kanë përkeqësuar edhe kërcënimet që pretendon se i ka marrë nga ish-bashkëshorti në Itali. Disa prej këtyre mesazheve janë siguruar nga Kiks Kosova.
Të gjitha këto, thotë se i ka raportuar për disa herë në policinë e Mitrovicës, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje e asnjë veprim konkret.
Megjithatë, Policia e Mitrovicës e thotë të kundërtën.
Nga Prokuroria e Mitrovicës, jozyrtarisht, thanë se nuk kanë gjetur ndonjë rast me emrat e ish-bashkëshortëve, duke shtuar se pa numrin e rastit nuk mund të identifikohet lënda zyrtarisht.
Historia e mosmarrëveshjeve ka arritur edhe në gjykatë. Kiks Kosova kontaktoi edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të kuptuar nëse është e njoftuar lidhur me nxjerrjen e të miturit jashtë vendit pa lejen e nënës.
Megjithatë, ministria ka udhëzuar që çdo pyetje specifike të drejtohet tek Policia e Kosovës.






