Gjykata Supreme e Kosovës e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit lidhur me paraburgimin e Valon Llukës, duke e kthyer çështjen në rivendosje. Megjithatë, Lluka do të mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi të ri nga gjykata e shkallës së parë.
Në aktgjykimin e datës 27 tetor, Supremja e ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtësit të Llukës për mbrojtjen e ligjshmërisë. Gjykata ka konstatuar se vendimi për caktimin e paraburgimit nuk përmbante arsyetim të mjaftueshëm për rrezikun që i pandehuri mund të ndikojë te dëshmitarët ose të ndërhyjë në prova.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar Llukës një muaj paraburgim më 9 tetor, masë që ishte paraparë të zgjaste deri më 6 nëntor 2026. Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokati Driton Muharremi, e kishte kundërshtuar vendimin, por Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën më 14 tetor.
Në kërkesën drejtuar Supremes, mbrojtja kishte pretenduar se gjykatat nuk kishin paraqitur prova dhe rrethana konkrete që do ta mbështesnin ekzistimin e një rreziku real dhe aktual për ndikim te dëshmitarët apo për asgjësim, fshehje ose ndryshim të provave. Sipas mbrojtjes, deri në atë fazë nuk ishte identifikuar ndonjë veprim i Llukës që do të tregonte se ai kishte tentuar të pengonte zhvillimin e procedurës penale.
Supremja i ka dhënë të drejtë mbrojtjes në këtë pikë, duke vlerësuar se Gjykata Themelore nuk i kishte specifikuar rrethanat konkrete që do ta arsyetonin rrezikun e ndikimit në dëshmitarë dhe prova.
Në aktgjykim, Supremja ka vënë në dukje se gjykata e shkallës së parë vetëm e kishte parafrazuar dispozitën ligjore për kushtet e caktimit të paraburgimit, pa shpjeguar se cilat fakte dhe prova e mbështesnin një masë të tillë.
Si shembuj, në vendimin e kundërshtuar ishin përmendur pyetjet që Lluka kishte bërë gjatë marrjes në pyetje nga Policia, përfshirë se cila kompani kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, nëse ishte marrë në pyetje një dëshmitare dhe deklarimin e tij se autoritetet e SPAK-ut në Shqipëri ia kishin sekuestruar telefonin. Sipas Supremes, këto rrethana nuk shpjegonin se si ai do të mund të ndikonte te dëshmitarët apo të asgjësonte, fshihte ose ndryshonte prova.
Gjykata ka udhëzuar Gjykatën Themelore që, gjatë rivendosjes, t’i evitojë këto shkelje dhe të paraqesë arsyet konkrete, si dhe provat specifike që do ta mbështesnin rrezikun e pretenduar.
Pavarësisht anulimit të dy vendimeve të mëparshme, Supremja ka vendosur që Lluka të mbetet në paraburgim deri në marrjen e vendimit të ri nga Gjykata Themelore.








