Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e punëtorit në vendin e punës pasditen e së martës në Drenas.
Në raportin ditor të PK’së, thuhet se viktima ka pësuar lëndime në një kompani private, teksa vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar.
“Fsh. Korroticë e Epërme, Gllogoc 20.10.2026 – 16:01. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, ka pësuar lëndime trupore në vendin e tij të punës në një kompani private. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës”, thuhet në njoftimin e PK’së.
Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.








