Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka kujtuar sulmet e 11 shtatorit 1997 ndaj stacioneve policore serbe në Kosovë.
Brahimaj ka thënë se në kohën kur mendohej se UÇK-ja ishte shuar dhe se rezistenca e armatosur nuk ishte në prag, njësitet e saj ndërmorën sulme të koordinuara.
“Kur mendohej se UÇK-ja ishte shuar dhe që rezistenca e armatosur nuk ishte as në prag, 11 stacione policore duke filluar nga ora 11 e mbrëmjes, u sulmuan nga njësitet e UÇK-së”, ka shkruar Brahimaj.
Ai ka treguar se nga 11 sulmet, dy njësi ishin nisur nga Shqiponja, ndërsa pas aksioneve, në mëngjesin e 12 shtatorit, në këtë fshat kishin gjetur strehë tri njësi.
“Krenar që isha një nga planifikuesit, por edhe një nga zbatuesit e këtij aksioni të gjerë që përfshiu një pjesë të madhe të Kosovës së okupuar”, ka shkruar Brahimaj.








