“Lopa është nda prej tufës, ka shku në oborr të Gjykatës, shkova ta marr, përfundova në burg” – rrëfimi i bariut që u ndalua për 48 orë!
Hashim Miftari është pronari i lopës që ditë më parë hyri në oborrin e Degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë, duke shkaktuar dëme në një pjesë të gjelbërimit. Por, ajo që e bëri këtë ngjarje edhe më të pazakontë ishte ndalimi i pronarit të saj për 48 orë.
Në një rrëfim për KALLXO.com, Miftari ka treguar se si ndodhi e gjithë ngjarja, duke thënë se lopa ishte ndarë nga tufa dhe kishte përfunduar në oborrin e Gjykatës.
“Unë i kam 20 e ca copë lopë. Është nda prej tufës dhe me siguri qentë i kanë lehur edhe u fut në oborr të Gjykatës. Edhe unë kam shkuar mbas lopës”, ka treguar ai.
Sipas Miftarit, kur arriti te Gjykata, të dy dyert i gjeti të mbyllura. Ai thotë se kishte tentuar t’i hapte për ta marrë kafshën, por në atë moment kishin arritur zyrtarët policorë.
Madje, ai pretendon se një zyrtar i Gjykatës i kishte thënë sigurimit që të mos ia kthente lopën.
Por rrëfimi i tij nuk përfundon këtu.
Miftari ka treguar se pas intervistimit në Polici ishte njoftuar se do të ndalohej për 48 orë. Ai pretendon se nuk i ishte mundësuar kontakti me familjen dhe se kishte kërkuar të angazhonte një avokat.
Ajo që, sipas tij, e shqetësonte më shumë gjatë qëndrimit në qendrën e mbajtjes në Lipjan ishte fakti se në shtëpi kishte lënë më shumë se 20 krerë bagëti pa dikë që të kujdesej për to.
“Problemin e kisha se s’ka kush i kqyrë lopët, sepse unë i kam 20 copa lopë e dhi, gruaja nuk mundet”, ka rrëfyer ai.
Pronari i lopës thotë se nuk ka pasur asnjë qëllim që të dëmtojë pronën e Gjykatës dhe se është i gatshëm të përgjigjet për çdo dëm që mund të ketë shkaktuar kafsha e tij.
“Çfarëdo dëmi që e ka bërë lopa, unë përgjigjem. Këto gjëra ndodhin pa dashje. Unë përgjigjem se lopa është pronë e jemja”, ka deklaruar Miftari.
Pas lirimit, ai ka paralajmëruar se do t’u drejtohet Avokatit të Popullit, Këshillit Prokurorial dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, duke kërkuar trajtimin e pretendimeve të tij.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, por se masa e ndalimit është ndërprerë dhe ai është liruar në procedurë të rregullt.
Pra, lopa e kishte gjetur barin në oborrin e Gjykatës, ndërsa pronari përfundoi 48 orë larg tufës së tij. Një rast që në Kosovë vërtet nuk të lë pa koment!









