Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shpjeguar arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje nuk e votoi Vlora Çitakun e PDK-së për nënkryetare të Kuvendit.
Kurti tha se Çitaku kishte kërkuar më herët tërheqjen e Albulena Haxhiut dhe Feride Rushitit nga kandidaturat për nënkryetare, ndërsa theksoi se ajo kishte bojkotuar edhe votimin për zgjedhjen e Haxhiut kryetare të Kuvendit.
“Tash, ju e dini që në vitin e kaluar zonja Çitaku pat kërkuar që Albulena Haxhiu të tërhiqet. Sivjet, zonja Çitaku pat kërkuar që zonja Feride Rushiti të tërhiqet. Pardje, zonja Çitaku e bojkotoi votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe njëkohësisht ajo ka paralajmëruar bojkotin për zgjedhjen e presidentit”, tha Kurti.
Ai tha se VV-ja është e gatshme të votojë një deputet të PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, por jo domosdoshmërisht emrin e propozuar nga kjo parti.
“Ne me doemos një deputet të PDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Ne me doemos një deputet ose deputete të LDK-së do ta votojmë për nënkryetar të Kuvendit. Mirëpo, ju e dini nga gjykimet e Gjykatës Kushtetuese nga viti i kaluar, nuk është e thënë që të jetë ekskluzivisht dhe absolutisht emri unik i këtyre pozitave”, tha ai.
Kurti tha se çështja do të mund të sqarohej përmes një takimi me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ku, sipas tij, do të diskutoheshin emrat e deputetëve që mund të votoheshin nga VV-ja.
“Uroj që ashtu siç kemi qenë ne konstruktivë në vitin e kaluar, të jenë edhe të tjerët. Por më së miri do të ishte që këtu të sqaroheshin në takime të përbashkëta”, tha Kurti.








