Fshat Olimpik e Spital modern: Moskoordinim e paqartësi për investime madhore në Prishtinë

Komuna e Prishtinës po promovon para investitorëve të huaj projekte madhore, si Spitali i Prishtinës dhe Fshati Olimpik, me ankesa për mungesë të përkrahjes nga institucionet qendrore. Për të dy këto projekte – dhe për projekte të tjera që lidhen me Lojërat Mesdhetare 2030, bashkorganizatore të të cilave janë Komuna dhe Qeveria e Kosovës – ekzistojnë paqartësi për mënyrën e realizimit.

Në kërkim të investitorëve të huaj për projekte me vlerë prej miliona eurosh, Komuna e Prishtinës po promovon disa iniciativa që i paraqet si zhvillimore dhe strategjike për kryeqytetin e Kosovës: ndër to edhe Spitalin e Prishtinës dhe Fshatin Olimpik.

Të dyja u prezantuan para investitorëve amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë në Konferencën e Investitorëve Amerikanë në Prishtinë, organizuar me mbështetjen e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Por, derisa Komuna i sheh këto projekte si mënyrë për të tërhequr kapital privat në mungesë të mbështetjes nga niveli qendror, institucionet qendrore flasin për moskoordinim, ndërkaq shoqëria civile sheh paqartësi në kompetenca dhe rrezik të ndeshjes së projekteve.

Një stadium futbolli, dy, apo asnjë?

Kosovën e ndajnë edhe rreth katër vjet nga organizimi i Lojërave Mesdhetare, që konsiderohen ndër ngjarjet më të rëndësishme sportive pas Lojërave Olimpike.

Për këto gara të sporteve të llojllojshme duhet infrastrukturë specifike, të cilën Qeveria e Kosovës është zotuar ta ketë gati para fillimit të Lojërave, që parashihen të mbahen në periudhën mes 24 korrikut dhe 4 gushtit 2030.

Pjesa më e rëndësishme e infrastrukturës mbetet ndërtimi i një Stadiumi Kombëtar dhe i Fshatit Mesdhetar, kompleks që do të shërbente për akomodimin e rreth 5.000 sportistëve nga rreth 26 vende pjesëmarrëse.

Më 28 prill, në ditën e dytë të konferencës treditore për investitorë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, prezantoi një masterplan për një Fshat Olimpik në Bërnicë, i cili parasheh stadium futbolli, arena multifunksionale, dhe infrastrukturë tjetër sportive.

Plani i prezantuar nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e "Fshatit Olimpik"
Plani i prezantuar nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e “Fshatit Olimpik”

Kostoja për këtë investim, sipas planit të publikuar nga Komuna, është 250 milionë euro, ndërsa ndërtimi i Fshatit është paraparë të bëhet në 60 hektarë tokë publike, rreth 10-15 kilometra në periferi të kryeqytetit.

Shuma e investimit për këtë projekt është e afërt me shumën totale që Qeveria e Kosovës e ka zotuar për investim në lidhje me Lojërat Mesdhetare, sipas ligjit që u miratua në fund të prillit të sivjetmë.

Rama tha për Radion Evropa e Lirë, gjatë Konferencës së Investitorëve Amerikanë, se “niveli qendror [qeveria] kanë qenë bllokues ndaj zhvillimeve në kryeqytet”, duke mos i financuar.

“Tash po gjejmë alternativa që me sektorin privat t’i zhvillojmë projektet madhore, të cilat i duhen kryeqytetit, si Unaza e kryeqytetit, si Spitali i kryeqytetit, si Fshati Olimpik, si Stacioni i Autobusëve…”, u shpreh kryetari i Prishtinës, më 29 prill.

Në anën tjetër, Ministria e Sportit, që mban rol kyç në organizimin e Lojërave Mesdhetare, tha se projekti që lidhet drejtpërdrejt me garat sportive nuk është ai i Komunës.

Sipas Fidan Shatrit nga kjo ministri, Fshati Mesdhetar që duhet për Lojërat ekziston si infrastrukturë në qendër të Prishtinës, vetëm se do të rinovohet dhe përshtatet për garat sportive.

“Qendra e Studentëve është e paraparë të jetë vendi mikpritës i sportistëve dhe quhet Fshati Mesdhetar”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se projekti është në fazën e hartimit të kritereve dhe tenderimi për projektin pritet të shpallet gjatë këtij viti.

Qendra e Studentëve në Prishtinë
FotogaleriQendra e Studentëve në Prishtinë

Shatri shtoi se Fshati Olimpik në Bërnicë është projekt vetjak i Komunës dhe nuk është përfshirë në planin me të cilin Kosova ka aplikuar për të qenë organizatore e Lojërave Mesdhetare.

“Projekti të cilin e ka shfaqur Komuna e Prishtinës nuk ka ndonjë dakordim të përbashkët me institucionin tonë”, deklaroi Shatri, i cili, megjithatë, shtoi se nuk është “diçka e keqe nëse Komuna arrin ta realizojë atë investim”.

Paqartësitë shkojnë edhe më tej te Stadiumi Kombëtar – një prej investimeve kyç sportive, që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare, si i nevojshëm për hapjen dhe mbylljen e tyre.

Sipas Ministrisë së Sportit, lokacioni për stadiumin ende nuk është vendosur. Një opsion për të mbetet Zona Industriale në Drenas, ndërsa edhe Bërnica përmendet si mundësi. Por, ministria thotë se vendimi final për lokacionin nuk ekziston ende.

Madje, sipas Shatrit, meqë futbolli nuk do të jetë pjesë e garave, “për hapje dhe mbyllje të Lojërave Mesdhetare mund të ketë edhe Plan B”.

Kjo, tha ai, nuk nënkupton që Ministria nuk është e interesuar ta ndërtojë stadiumin, pasi ai është i nevojshëm edhe përtej Lojërave.

Shatri pohoi se do të ishte pozitive nëse arrihet ndërtimi i dy apo më shumë stadiumeve, por theksoi se projekti i Komunës nuk është i dakorduar mes dy institucioneve.

Plani i vitit 2019 për Stadiumin Kombëtar, projekt që nuk u realizua.
Plani i vitit 2019 për Stadiumin Kombëtar, projekt që nuk u realizua.

“Momentalisht nuk është që ka pasur dakordim që Komuna ta zhvillojë projektin [për stadiumin], ndërsa atë ta bashkëfinancojë ose financojë Ministria e Sportit”, tha Shatri.

Bashkorganizatori i tretë i Lojërave, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i sheh si të ndara planet e Qeverisë dhe të Komunës.

Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Fshati Mesdhetar dhe Fshati Olimpik nuk janë i njëjti projekt.

“Natyrisht se do të ishin të mirëseardhura, nëse do të investohej në të dyja”, u shpreh ai.

Megjithatë, edhe ai pranoi se Fshati Olimpik nuk ka qenë pjesë e kandidaturës origjinale të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Sidoqoftë, sipas tij, çdo ditë që kalon rrit shqetësimin për vonesa në përfundimin e infrastrukturës së nevojshme për Lojërat.

“Uroj që… procesi i investimeve do të ecën me hapa të shpejtë, e sidomos procesi i ndërtimit të Stadiumit Kombëtar, si projekti më madhor”, tha Krasniqi.

Për ekspertët e qeverisjes lokale, fakti që Komuna dhe Qeveria po flasin paralelisht për projekte të ngjashme tregon mungesë të koordinimit institucional.

Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, konsideron se kjo situatë krijon paqartësi për publikun dhe për investitorët.

“Kur dy nivele të pushtetit dalin me projekte ‘binjake’ për të njëjtin funksion, krijohet paqartësi mbi bartësin e mandatit, lokacionin, burimin e financimit dhe afatet”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo rrit rrezikun e vonesave, ndryshimeve të konceptit dhe kostove shtesë.

“Për opinionin publik dhe sidomos për investitorët, kjo përkthehet në sinjal të dobët serioziteti”, tha Salihu.

Ai shtoi se gara politike rreth meritave për Lojërat Mesdhetare po shndërrohet në përplasje për kontroll mbi punimet në lidhje me këto lojëra.

“Në vend të organizimit, çështja është kthyer në bajraktarizëm dhe individualizëm”, deklaroi ai.

Komuna e Prishtinës tha, pas Konferencës së Investitorëve Amerikanë, se ka nënshkruar 58 letra të interesit nga investitorë potencialë për 19 projektet e prezantuara, por zyrtarë të saj nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa nga to ishin në lidhje me Fshatin Olimpik.

Projekte të tjera të prezantuara përfshinin edhe Stacionin e Autobusëve, Shtëpi Moderne të Pleqve e deri te unaza rugore në Prishtinë, për të cilën Rama po ashtu tha se ka munguar përkrahja nga niveli qendror.

Pamje nga Konferenca e Investitorëve Amerikanë, e organizuar nga Komuna e Prishtinës.
Pamje nga Konferenca e Investitorëve Amerikanë, e organizuar nga Komuna e Prishtinës.

Spital publik, privat apo fare?

Me mungesë koordinimi dhe shkëmbime fajesh është përcjellë edhe projekti i kamotshëm për Spitalin e kryeqytetit.

Aktualisht, për banorët e Prishtinës nuk ekziston spital publik, derisa shërbimet spitalore ata duhet t’i marrin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një institucion ku marrin shërbime të specializuara qytetarë nga e gjithë Kosova.

Kjo shënon një ngarkesë shtesë për këtë qendër, ndërsa lë mangët kryeqytetasit.

Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka qenë ndër premtimet kryesore të kryetarit aktual të Prishtinës, Rama. Komuna, madje, ka ndarë parcelën e tokës për ndërtimin e tij, si dhe një buxhet fillestar për projektin.

Megjithatë, këtë Spital, Komuna e prezantoi si projekt potencial për investim të jashtëm në Konferencën e Investitorëve Amerikanë.

Projekti, sipas planit të Komunës, mund të kushtojë 90 milionë euro, me lokacion në zonën e njohur si Prishtina e Re. Por, në projekt nuk është bërë e qartë se si saktësisht do të funksiononte ai, duke lënë të hapur mundësinë për partneritet publiko-privat, koncesion e modele të tjera.

Projekti i Spitalit të Prishtinës, i prezantuar në Konferencën e Investitorëve Amerikanë.
Projekti i Spitalit të Prishtinës, i prezantuar në Konferencën e Investitorëve Amerikanë.

Kryetari Rama tha se Komuna është detyruar të kërkojë alternativa të investimeve të huaja, për shkak të mungesës së mbështetjes nga Qeveria e Kosovës.

Por, Ministria e Shëndetësisë e sheh ndryshe çështjen, duke thënë se kërkohet diskutim më i gjerë për nevojën reale për këtë spital.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke folur për gazetarët më 4 maj 2026, tha se ndërtimi i një spitali nuk mund të trajtohet vetëm si projekt ndërtimor.

“Së pari duhet një marrëveshje dhe koordinim i afërt mes Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK-së”, deklaroi Vitia.

Ai tha se spitali duhet të jetë komplementar me sistemin ekzistues shëndetësor, dhe të ndihmojë në uljen e ngarkesës në QKUK.

“Ne nuk mund të themi që po ndërtojmë një ndërtesë, sepse ajo mund të jetë pjesa më e lehtë”, tha Vitia.

Sipas tij, pa koordinim ekziston rreziku që të krijohet një institucion i ri që kërkon mirëmbajtje të kushtueshme, por nuk sjell përmirësim real të shërbimeve.

Megjithatë, Ministria nuk iu përgjigj pyetjeve specifike të Radios Evropa e Lirë se a e mbështet projektin e prezantuar nga Komuna, dhe si do të mund të funksiononte ky spital në hierarkinë e shëndetësisë publike.

Edhe këtu, ekspertët ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si po ndryshon koncepti i projektit.

Salihu nga GAP-i konsideron se ideja që Spitali i Prishtinës të financohet nga donatorë ose investitorë privatë përbën devijim nga koncepti fillestar i një projekti publik.

“Në momentin kur Komuna ka aprovuar ndarjen e pronës komunale për ndërtimin e spitalit, projekti është prezantuar si investim publik me qëllim shërbimin publik”, tha ai.

Sipas tij, kalimi drejt financimit privat krijon paqartësi për mënyrën e menaxhimit dhe funksionimit të spitalit.

“Edhe nëse spitali synon të mbetet “publik” në status, futja e një financuesi të jashtëm e rrit rrezikun e një modeli hibrid ku standardet e shërbimit, qasja, organizimi i shërbimeve dhe autonomia menaxheriale mund të mos jenë më të përcaktuara qartë nga interesi publik, por të negociohen sipas logjikës së marrëveshjes me donatorin.”, tha Salihu.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK)

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë se nevoja për një Spital të Prishtinës është e qartë, por se funksionalizimi i një spitali të tillë përballet me sfida:

“Sistemi shëndetësor tashmë vuan nga mungesa e stafit, sidomos e anesteziologëve dhe specialistëve të tjerë, ndërsa ndërtimi i një spitali të ri do të kërkonte edhe ridefinim të rolit të QKUK-së dhe riorganizim më të qartë të niveleve të kujdesit shëndetësor në Kosovë”.

Ngjashëm mendon edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Nga FSSHK-ja thonë se “mbetet e paqartë forma e funksionimit të spitalit, modeli i financimit dhe statusi i tij në kuadër të sistemit publik shëndetësor”.

Sipas FSSHK-së, një prej sfidave kryesore mbetet mungesa e stafit shëndetësor, ndërsa çdo projekt, sikurse ai i Spitalit, duhet të shoqërohet me strategji konkrete për sigurimin dhe mbajtjen e stafit, si dhe “përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimin dinjitoz të punëtorëve shëndetësorë”.

“Po ashtu, duhet të sqarohet nëse ky spital do të jetë plotësisht publik, partneritet publiko-privat apo model tjetër, sepse shëndetësia publike nuk duhet të mbetet e varur nga interesa të paqarta financiare apo komerciale”, tha Tevide Imeri, kryetare e FSSHK-së, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë mendojnë investitorët?

Pikërisht çështja e sigurisë politike dhe institucionale është një nga rezervat që përmendin edhe investitorët e huaj për futjen e aseteve të tyre në Kosovë.

Në Konferencën e Investitorëve Amerikanë morën pjesë përfaqësues të kompanive amerikane dhe investitorë me përvojë në rajon, të cilët thanë se Kosova ka potencial, por mbetet sfiduese për shkak të klimës politike dhe burokracisë.

Kolec Ndoja, investitor shqiptaro-amerikan dhe përfaqësues i kompanisë DOME Equities nga Florida, tha se e sheh Prishtinën si “qytet në lëvizje”, por pranoi se investimi jashtë një sistemi të konsoliduar si ai amerikan mbetet sfidë.

“Ka rezistencë dhe burokraci që në shumë raste mund të paraqiten”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai shtoi se investitorët po e shohin Prishtinën si mundësi zhvillimi afatgjatë.

“Shohim një qytet vibrues dhe kryeqytet të Kosovës që mund të bëhet destinacion për të gjithë Evropën”, deklaroi Ndoja.”, deklaroi Ndoja.

Kolec Ndoja, investitor shqiptaro-amerikan.
Kolec Ndoja, investitor shqiptaro-amerikan.

Ai tha se investitorët janë të vetëdijshëm për sfidat politike, por besojnë se projektet e mëdha mund të krijojnë vrull të ri ekonomik.

“Kur e shohim Kosovën nga [9 mijë metra lart], shohim mundësi të madhe”, u shpreh Ndoja.

Edhe investitori amerikan Mark Crawford, i cili ka përvojë në financa dhe investime në rajon, tha për Radion Evropa e Lirë se rreziku politik vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore për investime.

Ai përmendi problemet me regjistrimin e pronave dhe konfliktet institucionale edhe në vende të tjera të Ballkanit si sfida që mund të dekurajojnë investitorët.

“Gjithçka ndërtohet mbi tokë”, tha ai, duke theksuar se siguria juridike mbetet thelbësore për investitorët.

Mark Crawford, investitor amerikan.
Mark Crawford, investitor amerikan.

Sipas tij, investitorët amerikanë mund të mbrohen përmes instrumenteve të sigurimit të rrezikut politik që ofrohen nga Korporata Amerikane për Financim të Zhvillimit (DFC), por kjo nuk e eliminon problemin e mungesës së koordinimit institucional.

“Mendimet afatshkurtëra dhe burokracia [janë pjesë e sfidës]”, tha Crawford.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit