Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër pas deklaratave të rënda dhe kërcënuese të bëra nga një mërgimtar në drejtim të ish-komandantit të UÇK-ës, Daut Haradinajt.
Përmes një reagimi në Facebook, Tahiri i ka dalë në krah bashkëpartiakut të tij, duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të gjuhës linçuese, e cila sipas tij, po synon përçarjen e shoqërisë.
“Gjuha fyese dhe linçuese krijon dhimbje, hap plagë dhe dëmton familjet e shoqërinë tonë. Kushdo që hyn në këtë valle, duhet ta dijë se po i shërben pikërisht asaj përçarjeje që ndër breza i ka shkaktuar dëmë shqiptarit”, ka shkruar ai.
Tahiri ka pasur edhe një porosi të prerë për të gjithë ata që po përdorin këtë lloj gjuhe ndaj figurave publike dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Ndaluni, sepse boll u bo. Thirrni mendjes”, ka thënë Tahiri.
Reagimi i Tahirit vjen pak kohë pasi në rrjetet sociale u publikua një video-mesazh i mërgimtarit Naser Xhylani, i cili e krahasoi Daut Haradinajn me kryeterroristin Milan Radoiçiq, si dhe përdori gjuhë kërcënuese duke përmendur “Kanunin” dhe persona “të gatshëm për sakrificë”.









