Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se ka në plan të forcojë kapacitetet e frikësimit të vendit, që asnjë shtet të mos guxojë ta sulmojë atë.
Erdogan njoftoi këtë javë planet për të rritur prodhimin e raketave me distancë mesatare dhe afatgjata në Turqi, ndërsa lufta mes Izraelit dhe Iranit po eskalon.
Erdogan diskutoi për luftën Izrael-Iran me kancelarin gjerman Friedrich Merz në një bisedë telefonike të premten. Ai i tha Merz-it se çështja e programit bërthamor iranian mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave, sipas një njoftimi nga zyra e Erdogan-it, raporton AP.
Megjithëse Turqia ka marrëdhënie të tensionuara me Izraelin, analistët dhe zyrtarët nuk e shohin një kërcënim të menjëhershëm që ky konflikt të përhapet në Turqinë anëtare të NATO-s.
Megjithatë, disa e shohin këtë lëvizje të Erdogan-it si një shenjë se lufta Izrael-Iran mund të nxisë një garë të re të armatimeve në rajon, me shtetet që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në këtë konflikt, duke rritur përpjekjet e tyre ushtarake për të parandaluar konflikte të mundshme në të ardhmen.
Ushtarët izraelitë të premten refuzuan të komentojnë mbi planet e Turqisë për të rritur prodhimin e raketave, por Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, iu përgjigj kritikave të Erdogan-it ndaj Izraelit për sulmin e tij ndaj Iranit në një postim në X të mërkurën.
Ai akuzoi Erdogan-in për “ambicie imperialiste” dhe për të “thyer rekord në shtypjen e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve të tij, si dhe të opozitës së vendit të tij.”









