Situata e krijuar ditë më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas një alarmi për një mjet shpërthyes, ka nxitur shqetësim të thellë në opinionin publik dhe në institucionet e sigurisë. Megjithëse u konstatua se alarmi ishte i rremë, ekspertët e sigurisë po e cilësojnë këtë ngjarje si një sinjal serioz për cenimin e sigurisë kombëtare dhe një episod të qartë të luftës hibride.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se ky incident është pjesë e skenarëve destabilizues të shteteve armiqësore ndaj Kosovës, si Serbia dhe Rusia.
“Edhe pse ishte një alarm i rrejshëm, përmasat e frikës që shkaktoi ishin të mëdha. Nuk bëhet fjalë vetëm për një lajm të pavërtetë, por për një akt që mund të klasifikohet si pjesë e një lufte speciale që synon destabilizimin e rendit kushtetues dhe frikësimin e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit,” deklaron Elezi.
Ai thekson se nuk është hera e parë që përmes metodave të tilla hibride synohet të krijohet pasiguri në institucionet shtetërore të Kosovës.
“Kemi pasur raste të tilla edhe më parë, jo vetëm në Kuvend. Por fakti që tani ndodhi në një moment kaq të ndjeshëm politik, kur Kuvendi ende nuk është konstituar dhe institucionet janë në krizë, tregon se synimi është i qartë: të ushtrohet presion psikologjik dhe politik,” thekson Elezi.
Sipas tij, kjo përbën një paralajmërim për mungesën e një infrastrukture adekuate për trajtimin dhe parandalimin e këtyre formave të kërcënimeve.
“Është alarm i pastër për kapacitetet tona të kufizuara profesionale. Ky është momenti që Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë të fillojnë të zhvillojnë strategji për të identifikuar dhe neutralizuar këto forma të luftës speciale që kryhen përmes kanosjeve dhe alarmeve të rrejshme,” shton ai.
Elezi gjithashtu kërkon hetim të plotë nga Prokuroria e Shtetit për mënyrën se si është pranuar informacioni dhe për burimin e tij.
“Prokuroria duhet urgjentisht të intervistojë zyrtaren e Kuvendit që ka pranuar informacionin, të zbulojë burimin dhe të shqyrtojë gjithë rrjedhën e komunikimit. Duhet trajtim serioz dhe profesional, pasi këto situata kanë ndikim direkt në stabilitetin institucional,” përfundon Elezi.
Sipas ekspertit, objektivi kryesor i këtyre akteve është që të frikësojnë dhe të demoralizojnë familjarët e deputetëve të Kuvendit, duke i paraqitur ata si objektiv të sulmeve të mundshme.
“Ne jemi të vetëdijshëm që kjo që ka ndodhur tani është një përpjekje për luftë speciale të armiqve të Kosovës, për të zgjuar e terrorizuar të gjithë familjarët e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që mund të ishin cak i një sulmi.
Kjo lloj lufte është një alarm, është një sinjalet kryesore të mungesës së kapaciteteve profesionale apo një thirrje konkrete e Policisë së Kosovës për të trajtuar mënyrat e kësaj lufte speciale përmes këtyre lloj kanosjeve e alarmeve të rrejshme, sepse kjo mund të ndodhë edhe për shkak që ende nuk kemi krijuar infrastrukturë të nevojshme që në kohë të reale të parandaloj këto alarme të rrejshme”, vlerësoi ai.