Aludimet për lidhjet e aktivistit Rron Gjinovci me kriminelin famëkeq, Arkanin, kanë shtyrë familjen Gjinovci që të dalin me reagim.
Adnan Gjinovci, familjar i Ronit, përmes një reagimi në Facebook ka demantuar lajmet që kanë qarkulluar, duke potencuar se familja Gjinovci nuk ka asnjë lidhje me Arkanin.
“Marrë shkak nga zhvillimet e fundit dhe reagimet mediatike rreth aktivistit Rron Gjinovci, për të bërë këtë sqarim publik në emër të familjes sonë. Për të qenë plotësisht i hapur dhe korrekt: babai i Rronit është djali i axhës tim Arbërit për të cilin kom shumë respekt. Sidoqoftë, unë personalisht dhe familja ime nuk ndajmë të njëjtat qëndrime politike me Rronin dhe dëshirojmë të distancohemi qartë nga aktiviteti i tij politik”.
“Ajo që na shtyn të reagojmë sot është mbrojtja e të vërtetës dhe e dinjitetit të emrit tonë familjar. Familja Gjinovci, me prejardhje nga Makermali i Drenicës, ka një histori të pastër e patriotike. Gjyshi im ka qenë sekretar i shtabit të heroit kombëtar Shaban Polluzha dhe bashkëluftëtar i tij. Familja jonë nuk ka pasur kurrë kurrfarë miqësie apo afërsie me kriminelin Arkan – përkundrazi, e kemi pasur dhe e kemi armik, e në luftë kemi qenë përballë tij e kundërshtarë të çdo force okupuese”, ka thënë në reagimin e tij Adnanin.
Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë për një lidhje mes Arkanit dhe Rronit, duke potencuar në reagimin e tij se informacionet lidhur me miqësinë me kriminelin famëkeq “lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të Rronit”.
“Sa u përket aludimeve apo informacioneve për lidhje me Arkanin, ato lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të Rronit dhe nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me trungun, historinë apo emrin e familjes Gjinovci. Kërkojmë nga mediat dhe opinioni publik që të mos e përbaltin emrin e familjes sonë për llogari të përplasjeve politike të ditës. Historia e familjes Gjinovci është e shkruar me mund e sakrificë për këtë vend dhe do të mbetet gjithmonë e tillë. Me Respekt Familja Gjinovci , ( Prishtinë , Makërmal , Mitrovicë )”. thuhet në reagimin e tij.








