Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi u ndëshkua të hënën me 74 goditje me kamxhik pas një përformance ku ajo u shfaq pa mbulesën e detyrueshme (hixhabin), ka bërë të ditur avokati mbrojtës Mostafa Nili, në njoftim të publikuar nga organizata ‘Iran Human Rights’.
Sipas raportimit të CNN, të njejtin dënim prej 74 goditjesh me kamxhik e kanë marrë edhe katër anëtarë të ekipit të kengëtarës: organizatori i koncertit – Mohsen Lashkari dhe muzikantët Soheil Faghih-Nasiri, Amin Taheri dhe Amir-Ali Pirnia. Ekzekutimi i dënimeve u krye në Njesinë e Ekzekutimit të Dënimeve të Prokurorisë së Qom-it, qytet ky i shenjtë shiit i njohur si bastion i konservatorizmit fetar.
Përformanca u publikua live ‘Koncerti Caravanserai’ në dhjetor të vitit 2024, i xhiruar në monumentin historik të Deir-e Gachin pranë Qom-it. Në videon e përformancës e cila u realizua pa publik të pranishëm, Ahmadi shfaqej duke kënduar përkrah muzikantëve burra, e veshur me një fustan të zi të gjatë, pa mëngë dhe me flokët e zbuluara, duke sfiduar kështu ligjet e detyrueshme të veshjës në Iran.
Drejtori i IHRNGO-së, Mahmood Amiry-Moghaddam, deklaroi për CNN se veshja e këngëtarës ishte faktor i rëndësishëm në këtë ndëshkim por theksoi se ndjekja penale lidhej edhe me faktin se ajo këndoi publikisht dhe sfidoi autoritetet iraniane.
Menjëherë pas publikimit të videos, agjencia e lajmeve, Mizan, e lidhur me gjyqësorin iranian, njoftoi hapjen e hetimeve për një ‘koncert të paligjshëm’ i cili nuk përputhej me standardet ligjore dhe fetare të vendit.
Gjykata i shpalli të pestë fajtorë për ‘cenim të moralit publik’ përmes prodhimit dhe shpërndarjës së përmbajtjës që u cilësua si ‘vulgare dhe imorale’. Përveç fshikullimit, atyre iu ndalua veprimtaria artistike dhe muzikore, si dhe udhëtimi jashtë vendit për dy vjet – vendim që u la në fuqi nga gjykata e apelit në shtator.
Organizata ‘Amnesty International’ e ka cilësuar dënimin me kamxhik si mizor, çnjerëzor dhe degradues, duke akuzuar autoritetet iraniane në një raport të vitit të kaluar për rritje të ndalimeve arbitrare dhe ndëshkimeve ndaj këngëtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve që kundërshtojnë mbulimin e detyrueshëm.
Ky ndëshkim vjen në mes të një fushate të vazhdueshme presioni ndaj artisteve gra në Iran. Një tjetër këngëtare, Hiva Seyfizadeh, u dënua më katër vjet burg për inkurajim të korrupsionit dhe prostitucionit, pasi interpretoi muzikë tradicionale iraniane në Tehran në shkurt të vitit 2025.
Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar mbi zbatimin e dënimit me kamxhik ndaj Ahmadi-t dhe ekipit të saj.









