Jepet tenderi afër 10 milionësh për Qarkoren e Gjilanit, fituese kompania e ish-të akuzuarit bashkë me Limajn për ryshfet

Dy vjet pasi kryetari Alban Hyseni prezantoi idenë e ndërtimit të Qarkores së Gjilanit, të martën është nënshkruar kontrata për fillimin e punimeve për një nga projektet më të rëndësishme të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Kontrata, e cila është e vlefshme 9,987,063.30 euro, i është dhënë konsorciumit mes kompanive “Tali Sh.P.K.” dhe “Company Zuka Commerce”, të lidhura me biznesmenin Florim Zuka.

Konsorciumi i lidhur me biznesmenin Zuka u shpall fituese bazuar në kriterin e “tenderit të përgjegjshëm me çmimin më të ulët”.

Konsorciumi fitues ofertoi me çmim 9.9 milionë euro, ndërsa oferta tjetër e kompanisë nga Tirana “Abi Cons” u eliminua për shkak të çmimit më të lartë. Kompania ndërtimore shqiptare ofertoi me çmim 10.2 milionë euro, rreth 300 mijë euro më të lartë sesa konsorciumi i kryesuar nga “Tali Sh.P.K”.

Kontrata është planifikuar të nënshkruhet të martën, sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi, raporton Paparaci.

Sipas dosjes së tenderit, konsorciumi mes dy kompanive në pronësi të familjes Zuka do të ndërtojë Qarkoren e Gjilanit, do të hartojë projektin kryesor për Qarkoren e Qytetit, si dhe kyçjen e dy rrugëve nacionale në Autostradën e Gjilanit.

Konkretisht, projekti përfshin ndërtimin e rrugës qarkore të Gjilanit, si dhe rrugëve në Stanqiq, Lipovicë, Myqibabë, Depcë dhe Cernicë.

Projekti është bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Sipas të dhënave publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, “Tali Sh.P.K.” është kompani 100% në pronësi të biznesmenit Florim Zuka, ndërsa “Company Zuka Commerce” është në pronësi të Andi dhe Muhadin Zukës. Muhadin Zuka është vëllai i Florim Zukës.

Florim Zuka është emër i njohur i biznesit, i lidhur prej më shumë se një dekade me kontratat e prokurimit publik.

Ai ishte një nga emrat e përfshirë në një aktakuzë për korrupsion që misioni i BE-së për sundim të ligjit në vendin tonë, EULEX, ngriti ndaj ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, në vitin 2008.

Që nga viti 2008, Limaj së bashku me Zukën dhe disa të tjerë ishin gjykuar për rastin e njohur si “MTPT”-ja.

Limaj, Zuka dhe pesë të tjerë akuzoheshin, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale.

Në fund të vitit 2017, Limaj së bashku me Zukën dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata, pasi rasti nga Eulexi kishte kaluar tek gjykata vendore.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit