Qumështorja VITA ka reaguar pas rezultateve të publikuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me praninë e aflatoksinës M1 në qumështin e saj, duke publikuar rezultatet e analizave të kryera në një laborator në Bullgari.
Sipas njoftimit të kompanisë, analizat e kryera në laboratorin “Alimenti Omnilab” në Bullgari, përmes metodës HPLC, kanë evidentuar vetëm 0.008 µg/kg aflatoksinë M1 në produktin Qumështi Vita 3.2% UHT, me datë prodhimi 18.07.2026 dhe datë skadimi 18.01.2027.
VITA thote se ky rezultat është dukshëm nën kufirin maksimal të lejuar prej 0.050 µg/kg, sipas rregulloreve të Bashkimit Evropian dhe legjislacionit në fuqi në Kosovë.
Kompania i është referuar edhe rezultatit të publikuar nga AUV, prej 0.065 µg/kg, duke thënë se për këtë rezultat është njoftuar vetëm përmes një publikimi në Facebook.
Sipas VITA-s, deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar apo raport laboratorik nga institucioni përgjegjës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kompanisë.
Për këtë arsye, qumështorja ka kërkuar që zyrtarët përgjegjës të AUV-së të japin sqarime publike lidhur me interpretimin e rezultateve të analizave të Institutit AGES, metodologjinë analitike të përdorur dhe transparencën e procesit.
Në fund të reagimit, VITA ka siguruar konsumatorët se mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë ushqimore dhe se do të vazhdojë të kërkojë verifikim të plotë të çdo rezultati të kontestuar.

“VITA nuk kërkon privilegje. Kërkon transparencë, drejtësi dhe të vërtetën!”, thuhet në njoftimin e kompanisë.










