Vjosa Osmani i rikthehet vrasjeve të pasluftës, i përgjigjet me gjuhë të ashpër Xhavit Halitit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i është rikthyer edhe një herë temës së vrasjeve të pasluftës.

Ish-presidentja ka akuzuar drejtpërdrejt zyrtarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, për deklaratat e dhëna të hënën gjatë një interviste me gazetarin Ermal Panduri në “RTV Dukagjini”.


Në intervistën e dhënë të hënën, Haliti, ish-pjesëtar i LPK-së dhe UÇK-së, tha se në vitin 1984 kishte parë një letër që e akuzonte si “të lidhur me UDB-në”, Enver Hadrin, një disident shqiptar nga Kosova të vrarë më 1990 nga shërbimi sekret serb e jugosllav UDB.

“Ndërsa Enveri (Hadri), në 1984 ne e kemi pasur një letër – e cila bënte akuza prej një organizate jashtë që ai ka qenë i lidhur me UDB-në, të njëjtat akuza që ia bën edhe Sigurimi i Shtetit”, tha Haliti.


Haliti, një nga themeluesit e UÇK-së, tha po ashtu se pasluftës “ma shumë janë vrarë njerëz të UÇK-së sesa të LDK-së”.

Deklaratat e Halitit nxitën reagimin e ashpër të Vjosa Osmanit, e cila në një postim në rrjetin social Facebook të martën, e quajti “ligësi” që në përvjetorin e ish-aktivistit të LDK-së, Xhemail Mustafës, qytetarët të dëgjojnë sesi “atdhetarët më të spiktatur të këtij vendi, të etiketohen si UDB-ashë”.


“Deri këtu paska arritur urrejtja ndaj LDK-së: të njollosen edhe ata që u vranë, vetëm pse kërkojmë të vërtetën për vrasjet e tyre dhe drejtësi për krimet që ende nuk janë zbardhur”, shkroi Osmani.

“Kushdo që ende pyet se çfarë e ushqeu urrejtjen, përçarjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së, le t’i dëgjojë këto zëra në studiot televizive. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, e njëjta gjuhë, të njëjtat etiketime dhe e njëjta përpjekje për ta përmbysur të vërtetën”, tha ajo.

Osmani tha se deklaratat e tilla, helmojnë opinionin publik.

“Zoti ju marroftë, o përçarës! As pas kaq shumë vitesh nuk u ngopët me urrejtje, me helmimin e opinionit publik dhe me justifikimin e tragjedisë së vëllavrasjes”, shpërtheu ajo në shkrimin që publikoi të martën. “Nuk do ta ndryshoni dot të vërtetën duke njollosur viktimat. Dhe nuk do ta ndalni kërkimin e drejtësisë duke fyer të vrarët”.

Enver Hadri, politikan dhe aktivist nga Kosova, u vra më 1990 në Bruksel nga shërbimi sekret serb e jugosllav, UDB.

Ai kishte azil politik në Belgjikë, ndërsa u vra nga struktura, prej të cilave kishte ikur, duke kërkuar mbrojtje në shtetin belg.

Enver Hadri ishte aktivist nga Kosova. Në Belgjikë jetonte që nga viti 1972, ku themeloi Komitetin për të drejtat e njeriut në Kosovë. Ishte i përkushtuar që çështja e të drejtave të njeriut në Kosovë të përfshihej në agjendën ndërkombëtare.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit