Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës, ishte në mesin e personave që ra në pranga përgjatë operacionit të madh anti-drogë “Heshtja”.
Në këtë operacion janë arrestuar gjashtë persona, ku Policia ka sekuestruar hiç më pak se 1.6 kilogramë kokainë, armë, vetura luksoze, ora të shtrenjta e para të gatshme.
Po ashtu janë sekuestruar pasuri në vlerë rreth 301 mijë euro.
Gjatë karrierës së Haraqisë, ka pasur edhe hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë mandatit si ministër, lëndë që u mbyll për shkak të parashkrimit në vitin 2017.
Astrit Haraqija në fakt mbahet mend edhe për një deklarim që e pati bërë.
Ai hapur kishte deklaruar se nuk brengoset për shpenzimin e parave të shtetit.
“I kom harxhu paret e babës, e s’pi harxhoj t’ministrisë”.
Kjo deklaratë ka qenë bërë prej tij gjatë kohës sa shërbente si ministër në Qeverinë e Kosovës dhe është përdorur shpesh në opinionin publik për qasjen e tij ndaj shpenzimeve apo funksionit publik.









