Një person që ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila njoftoi se ndalimi është bërë të hënën, më 16 nëntor, pas disa muajsh hetime në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, zyrtari me inicialet A.B., duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”.
Përmes këtyre veprimeve, dyshohet se synohej përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë.
Prokuroria njoftoi se në kuadër të këtij rasti, një shtetasi të Serbisë, me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati, dyshohet se i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një banesë me sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë, që ndodhet në Zonën Kadastrale të Matiçanit.









