Një udhëheqës divizioni në Gjykatën Themelore të Prishtinës është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Gazets merr vesh se personi i dyshuar është Agim Bytyqi, udhëheqës i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, zyrtari në fjalë, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”.
Përmes këtyre veprimeve, dyshohet se synohej përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë.
Prokuroria njoftoi se në kuadër të këtij rasti, një shtetasi të Serbisë, me inicialet M.B., i cili aktualisht ndodhet në arrati, dyshohet se i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një banesë me sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë, që ndodhet në Zonën Kadastrale të Matiçanit.









