Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija, dhe pesë të arrestuarve të tjerë në operacionin antidrogë të koduar “Heshtja”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, në mesin e personave ndaj të cilëve kërkohet paraburgimi janë Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku.
Në dokumentin e Prokurorisë përshkruhet mënyra se si dyshohet se funksiononte grupi, i cili, sipas organit të akuzës, për një periudhë të gjatë dhe deri më 14 nëntor 2026, vepronte në zona të ndryshme të Prishtinës, duke poseduar, shitur dhe shpërndarë kokainë në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Gazeta ka raportuar dje ekskluzivisht se Jeton Statovci dyshohet se ishte drejtues i grupit të kokainës, por edhe sipas dyshimeve të Prokurorisë, Jeton Stanovci kishte rolin e udhëheqësit të grupit dhe furnizohej me narkotikë nga Mërgim Stanovci, i cili ndodhet në arrati, si dhe nga Astrit Haraqija dhe Alban Maloku.
Më pas, kokaina dyshohet se ndahej në sasi më të vogla dhe i dorëzohej Gëzim Fekës, i cili një pjesë e mbante për vete, ndërsa pjesën tjetër ua jepte Arjanit Beqirit dhe Albert Krasniqit për shpërndarje dhe shitje në doza të vogla. Sipas dosjes, shitja kryhej edhe përmes veturave të marra me qira.
Prokuroria pretendon se edhe Baftije Feka kishte rol në këtë aktivitet, duke ruajtur sasitë e narkotikëve që dyshohet se i shiste bashkëshorti i saj, Gëzimi, si dhe duke mbajtur paratë e përfituara nga shitjet.
Ndërkaq, për Albana Xhemajli-Ramadanin, Prokuroria pretendon se, duke qenë bashkëjetuese e Jeton Stanovcit, kishte për detyrë mbledhjen e parave nga shitjet që dyshohet se kryheshin nga Gëzim Feka, Arjanit Beqiri dhe Albert Krasniqi. Sipas kërkesës, barazimi i pagesave bëhej kryesisht çdo të diel, ndërsa grupi furnizohej me sasi të reja për shpërndarje gjatë javës.
Dyshimet ndaj Astrit Haraqijës
Përveç dyshimeve për përfshirje në aktivitetin e trafikimit të narkotikëve, ish-ministri Astrit Haraqija dyshohet edhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas Prokurorisë, në banesën e tij është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, së bashku me karikator dhe gjashtë fishekë, për të cilën ai nuk kishte leje nga organet kompetente.
Në të njëjtën banesë, sipas kërkesës, janë sekuestruar edhe para dhe dy telefona iPhone.
Prokuroria bën të ditur se hetimet fillimisht kishin nisur ndaj Jeton Stanovcit, Gëzim Fekës dhe Arjanit Beqirit, ndërsa më vonë, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, ishin identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë.
Më 14 nëntor 2026, pas kontrolleve dhe analizimit të provave të mbledhura, sipas Prokurorisë janë krijuar dyshime të bazuara edhe për përfshirjen e Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut, ndaj të cilëve më 15 nëntor është zgjeruar hetimi.
Prokuroria kërkon paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në prova
Në kërkesën drejtuar Gjykatës, Prokuroria vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke përmendur dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale, rrezikun e arratisjes, mundësinë e asgjësimit apo ndryshimit të provave, ndikimin te dëshmitarët dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Prokurori Arben Hoti ka vlerësuar se masat e tjera alternative nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve gjatë procedurës penale.
Kujtojmë se operacioni “Heshtja” u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Gjatë aksionit u arrestuan gjashtë persona dhe u sekuestruan 1.6 kilogramë kokainë, si dhe asete të tjera me vlerë mbi 300 mijë euro.









