Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës të bëhet sa më shpejt.
Nagavci ka theksuar nevojën për stabilitet institucional dhe institucione me mandat të plotë.
“Sot Kosovës i duhet Presidenti. Vendi ynë ka nevojë për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe institucione me mandat të plotë”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka lidhur zgjedhjen e Presidentit edhe me zhvillimet që lidhen me mbrojtjen e së vërtetës për luftën e UÇK-së.
“Në një kohë kur mbrojtja e së vërtetës për luftën e UÇK-së kërkon veprim të koordinuar juridik, politik dhe diplomatik, Republika ka nevojë për përfaqësim të fuqishëm dhe institucione funksionale”, thuhet në postimin e saj.
Nagavci ka bërë thirrje që procesi i zgjedhjes së Presidentit të mos shtyhet më tej.
“Për këtë, na duhet t’ia japim vendit Presidentin sot. Një President i zgjedhur do t’i sillte Kosovës stabilitet dhe siguri institucionale. Kjo vendimmarrje nuk mund të shtyhet më tej”, ka deklaruar ajo.
Nagavci tha se përgjegjësia për këtë vendimmarrje është para institucioneve dhe deputetëve.
“Kjo përgjegjësi është sot para nesh”, ka shtuar ajo.








