Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas konferencës së kryeministrit Albin Kurti, ku ky i fundit propozoi Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin për postin e presidentit.
Hamza ka akuzuar Kurtin se po e përdor Ligjin për Dhomat e Specializuara si mjet për të arritur qëllime politike, duke thënë se synimi është zgjedhja e një presidenti politik dhe, sipas tij, “kapja 100 për qind e institucioneve të shtetit”.
“Si ta përdorin ligjin thjesht direkt për shantazh për me mrri qëllimin politik. Cili është qëllimi politik? Që me pas një president politik dhe me e përmbyll kapjen 100% të institucioneve të shtetit”, ka deklaruar Hamza.
Ai tha se gjatë ditës ka zhvilluar takime dhe diskutime për këtë çështje, ndërsa pretendoi se Kurti ka ndryshuar qëndrime disa herë.
“Vazhdimisht kam qenë në takime, kemi bisedu, sa ka seriozitet në këtë punë ku veç sot që 3-4 herë ka qëndrime të ndryshme. Në mesditë ka qenë takimi i fundit ku e kam informuar se duhet të kalojë Ligji për Dhomat e Specializuara pastaj të flasim për presidentin”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së tregoi edhe për një kërkesë që, sipas tij, ia kanë bërë deputetët e kësaj partie që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.
“Kem ushtarë të UÇK-së në grupin parlamentar të PDK-së dhe mu lutën me shumë dashamirësi: ‘Kryetar të lutem mos na e bëj UÇK-në pjesë të pazareve politike’”, tha ai.
Hamza i cilësoi si “propozime të imponuara” emrat e bërë publikë nga Kurti, duke thënë se një marrëveshje nuk mund të arrihet pa dakordim me palën tjetër.
“Propozime të imponuara, nuk mundesh me arrit marrëveshje pa u marrë vesh edhe me palën tjetër. Tu i thanë emrat në konferencë për media dhe nuk mundesh me punu me 100 standarde”, tha Hamza.
Ai kritikoi gjithashtu mundësinë që Ligji për Dhomat e Specializuara të votohet edhe përkundër shqetësimeve kushtetuese të ngritura gjatë procesit.
“Thotë po e votojmë Ligjin edhe pse thotë se mundet me pasë probleme kushtetuese, po e bëjmë një lloj transaksioni Ligj-President”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, çështja tashmë është në orët e fundit dhe situata është pasojë e veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kurtit.
“Jemi në orët e fundit, më vjen keq kjo çka po i ndodh vendit tonë. Ka një adresë kjo dhe jo tash, po që dy vite dhe adresa e vetme është LVV dhe z. Kurti”, tha ai.
Hamza ka thënë se PDK-ja gjatë gjithë procesit ka qenë transparente dhe e gatshme për kompromis, duke insistuar që ligji të miratohet pa probleme procedurale, juridike apo kushtetuese, ndërsa më pas të diskutohet për zgjedhjen e presidentit.
“Kjo çka po shohim e çka po dëgjojmë nuk është aspak serioze për vendin, për temat për të cilat po bisedojmë. Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit”, tha Hamza.
Ai theksoi se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së.
“Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, përfundoi Hamza.








