Ashtu siç ishte paralajmëruar, sonte në emisionin investigativ “Le Iene”, që transmetohet në Italia 1, është publikuar një investigim i përbashkët me emisionin “Piranjat” që zgjat prej disa muajsh.
Në këtë investigim të radhës, gazetari Luigi Pelazza është rikthyer në Tiranë pas një operacioni të përbashkët me SPAK, pas të cilit ishin arrestuar 8 persona.
Duke ndjekur gjurmët e call centerave që janë shpërndarë në çdo lagje të Tiranës, gazetari ka bërë një vlerësim në numra, ku sipas tij janë të përfshirë rreth 25 mijë operatorë dhe konsulentë mashtrues, të cilët pasurohen çdo ditë duke vjedhur europianët.
Një biznes kriminal që vlerësohet diku tek 500 milionë euro në muaj, shumë kjo e ngjashme me atë të një organizate të fuqishme të trafikut të kokainës.
Gazetari Pelazza ka rikthyer në vëmendje bashkëpunimin e ngushtë me SPAK, që solli suksesin e parë dhe të vetëm në goditjen e këtij aktiviteti.
Por ky aktivitet ishte një bashkëpunim i mirëorganizuar dhe me tre call center-a në territorin Italian, prandaj gazetari ka bërë denoncim në prokurorinë e Napolit, tek njëri nga prokurorët më të njohur të antimafias, Nicola Gratteri.
Por pas ndërprerjes së këtij aktiviteti, misioni i përbashkët do të vazhdonte.
Të paktën tre informatorë, që kanë punuar në call centera, janë treguar të gatshëm të na ndihmojnë.
Sofia, 35 vjeçare është e para, e cila ka kontaktuar direkt gazetarin Italian, duke i treguar historinë e saj me një call center mashtrues në kompleksin Delijorgji.
Sofia në fillim ka menduar se gjithçka ishte e ligjshme, por shpejt ka kuptuar se aty flitej vetëm për mashtrim.
Madje ajo i tregon gazetarit edhe një detaj, të momentit kur Le Iene së bashku me Piranjat, po ndiqnin operacionin e SPAK në kullën e gjelbër.
Ndërsa 35-vjeçarja po shkonte në punë, asaj dhe kolegëve i ka ardhur një mesazh në të cilin njoftohej nga titullari se për probleme teknike atë ditë nuk do të punohej.
Ishte fiks data 16 janar, dita kur u realizua ndërhyrja në call center-in e katit të 13-të të kullës.
Këtu gazetari ngre dyshimin se kjo histori nuk ka të bëjë më me 4 policë të korruptuar, por me diçka shumë më të madhe dhe gjithëpërfshirëse.
Vajza tregon gjithashtu shumë detaje të grupit mashtrues për të cilin ka punuar për fare pak kohë.
Më datë 10-të të çdo muaji dikush sillte rrogat e punonjësve, të gjitha cash, rreth 2 milion euro. Gjithashtu vajza ka dhënë detaje të sakta për vendndodhjen e zyrave, në katin e gjashtë të një pallati të kompleksit në fjalë.
Gazetarët e Le Iene dhe Piranjat u ngjitën atje, por gjetën çdo gjë të mbyllur. Informatori tjetër i Le Iene është Iliri, i cili ka një eksperiencë të gjatë 10 vjeçare në këtë sektor.
Është ai që ka ndihmuar gazetarët në hartën e disa call center-ave në disa zona të qendrës së kryeqytetit.
Në bisedën me të, gazetari ngelet i shokuar teksa i thuhet se i përfshirë në këtë aferë mashtruese është Olsi Rama, vëllai i kryeministrit të Shqipërisë.
Sipas denoncuesit me emrin Ilir, është ky person i cili ka financuar hapjen e call center-ave dhe më pas i menaxhon me të ashtuquajturit prestanomi.
Më pas, me hartën në dorë, gazetari merr kontakt me dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Neritan Nallbati dhe ndihmësi i tij Virson Stroka.
Të dy premtojnë se do të ndërhyjnë shpejt, por kalojnë më shumë se tre javë, dhe gazetari nuk merr asnjë përgjigje.
Në këto kushte kupton se diçka nuk shkon, ndaj vendos të kthehet në Tiranë, ku së bashku me Piranjat nis të kërkojë call center-at e hartës që i kishte dorëzuar dy drejtuesve të policisë.
Gjatë lëvizjeve nëpër Tiranë dhe takimeve me bashkëpunëtorë, njëri prej të cilëve edhe i sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, gazetari kupton se po mbahej nën kontroll, por sidoqoftë kërkon të vazhdojë investigimin.
Gjatë asaj dite të gjurmimit të call center-ave gazetari kupton mjaft mirë se sa e madhe është kjo aferë kriminale, aq sa edhe policët që u thirrën për të ndërhyrë në zyrat e call center-it brenda një vile, u terhoqën duke mos pranuar të bashkëpunojnë.
Ndaj thuajse i dëshpëruar për mungesën e plotë të bashkëpunimit, kërkon të takojë kryeministrin Edi Rama, duke qëndruar për disa orë përpara zyrës së tij, por pa rezultat.
Në fund gazetari i Le Iene, i drejtohet me një thirrje publike kryeministrit:“zoti Rama, në emër të miqësisë që lidh dy vendet tona, a nuk mund të ndërhyni personalisht në mënyrë që nga Shqipëria të mos bëhen këto mashtrime në dëm të Italisë”?









