Dosja e Prokurorisë për transportuesit e naftës: “Veda Petrol” e Dashnim Miftarit Afro 1,5 milionë euro dëm buxhetit të shtetit

Gazeta ka siguruar aktakuzën në të cilën përshkruhen dyshimet për importimin e derivateve me autobota të modifikuara, deklarimin e furnizimeve që ATK-ja nuk i ka pranuar si reale dhe fshehjen e qarkullimit të bizneseve të lidhura me Dashnim Miftarin. Sipas Prokurorisë, dëmi ndaj buxhetit të Kosovës nga veprimet që i atribuohen atij arrin në 1,621,376.59 euro.

Dashnim Miftari dhe bizneset “VEDA-2-PETROLL” SH.P.K. dhe “VEDA GROUP” SH.P.K. përmenden në aktakuzën që Insajderi e ka siguruar, e cila përfshin dyshimet për tregti të derivateve të naftës, shmangie tatimi dhe përdorim të autobotave të modifikuara.

Sipas aktakuzës, Miftari dyshohet se ka bashkëpunuar me Faruk Mazrekun dhe Fariz Mazrekun për sigurimin e shitjeve dhe blerjeve të derivateve. Prokuroria pretendon se ai ka deklaruar në Doganën e Kosovës importe të naftës në emër të bizneseve “VEDA-2-PETROLL” dhe “VEDA GROUP”, ndërsa një pjesë e furnizimeve të deklaruara nuk janë pranuar si reale nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Në dokument thuhet se, gjatë periudhës janar 2021 – dhjetor 2025, Miftari dyshohet se ka fshehur qarkullimin real në deklaratat tatimore, duke paraqitur furnizime në vlerë prej 4,836,142.45 eurosh, të cilat ATK-ja nuk i ka pranuar si reale.

Kjo vlerë, sipas aktakuzës, përfshin importe të kryera me autobota të modifikuara dhe blerje nga biznesi “PO Petrol Fariz”. Në të përfshihen edhe pagesa prej 983,650 eurosh gjatë periudhës prill–qershor 2025.

Prokuroria pretendon se, përmes këtyre veprimeve dhe deklarimeve jo të plota për çështje relevante tatimore, Miftari ka shmangur pagesën e tatimeve, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 1,621,376.59 eurosh.

Dy raste kur dyshohet se u shkarkua ujë në vend të derivateve
Në aktakuzë përshkruhen edhe raste konkrete që lidhen me transportimin e derivateve të deklaruara në Doganën e Kosovës.

Sipas dokumentit, më 25 tetor 2025, një mjet transportues me targa AA-988-KV dhe mauna ALR300M, në pronësi të kompanisë “SEFA SH.P.K.” dhe i drejtuar nga shtetasi shqiptar Valmir Bujari, kishte deklaruar në Doganë transportin e derivateve të naftës.

Pas shkarkimit të derivateve në biznesin “Veda Petrol”, në fshatin Begracë të Kaçanikut, automjeti dyshohet se është ndalur në autostradën “Ibrahim Rugova”, pranë një pushimoreje, ku sipas aktakuzës është shkarkuar ujë në një hapësirë për grumbullimin e ujërave atmosferike.

Prokuroria i referohet mostrave të marra në vendin e ngjarjes dhe raportit të ekzaminimit B15/2025, në të cilin është konstatuar përmbajtje uji.

Një rast tjetër i përshkruar në aktakuzë lidhet me datën 23 tetor 2025. Sipas Prokurorisë, një automjet me targa AA667MP dhe autobota AKR593, i drejtuar nga shtetasi shqiptar Prekë Gjeka, kishte deklaruar derivate në Doganën e Kosovës më 22 tetor.

Pas shkarkimit të derivateve për “Veda Petrol”, automjeti dyshohet se ka shkarkuar ujë në një parking pranë qendrës tregtare “Jora Center”, në fshatin Komoran, në rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë. Edhe mostra e ekzaminuar në këtë rast, sipas aktakuzës, ka rezultuar me përmbajtje uji.

Në një pjesë tjetër të dokumentit, Prokuroria pretendon se një autobot i shkarkuar në biznesin “PO Petrol” në Mamushë kishte pësuar ndërhyrje pas fabrikimit, sipas ekspertizës nr. 0106.

Prokuroria pretendon se Miftari ka bashkëpunuar me Faruk dhe Fariz Mazrekun në veprimet që lidhen me importimin dhe tregtimin e derivateve, si dhe me deklarimet tatimore të bizneseve të përfshira.

Dëmi prej 1,621,376.59 eurosh është shuma që aktakuza ia atribuon Miftarit në lidhje me veprimet e përshkruara.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit