Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij gjatë diskutimit për raportin e fundit për Kosovën të përpiluar nga UNMIK-u, duke folur për proceset zgjedhore në vend, tha se Kosova ka demonstruar disa herë që ka formuar institucione të forta.
Sipas tij, Qeveria do të vazhdojë agjendën “ambicioze të perspektivës sociale e ekonomik, drejtësi e siguri”.
“Qeveria e Kosovës bën përpjekje për sigurim të paqes dhe prosperitetit në gjithë territorin, përfshirë edhe veriun, dhe këto po shpaguhen tani”, tha Konjufca.
Ai foli për mbylljen e institucioneve të strukturave ilegale në vend. Ministri theksoi se “asnjë qytetar nuk do të lihet pa shërbime”.
“Si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në veri, forcat e KFOR-it kanë optimizuar pozicionimin e tyre gjë që ka krijuar kushtet që organet tona të integrohen edhe më thellë dhe të kenë bashkëpunim të drejtpërdrejtë edhe me qytetarët serbë të Kosovës”, deklaroi ai.
Më tej, ai tha se raporti i UNMIK-ut përmend vetëm pjesërisht përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të promovuar sundimin e ligjit, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes.
“Është dëshpëruese që shumë këso rastesh të trajtuara në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht te propaganda serbe, është fatkeqe që edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i organizuar, orkestruar, mbështetur nga Beogradi zyrtar, përmes Radiçiqit, përmendet në këtë raport si një ngjarje e dhunshme në vend që të përmendet siç është, pra sulm terrorist. Nga 92 rastet e përmendura si propagandë politike nga zyra e ashtuquajtur për Kosovë, asnjëra nuk ka ndonjë prapavijë ose motiv etnik. Me keqpërdorimin e konotacioneve etnike dhe fabrikimeve të tilla, raporti përmban dezinformata dhe qëllimisht i keqinterpreton veprimet e zbatimit të ligjit apo cenimin e rendit publik, duke i përshkruar ato si të motivuara etnikisht apo shkelje të të drejtave”.
“Kundërvajtjet që përmenden nga UNMIK-u, nuk kanë qenë arrestime apo persekutim i serbëve. Këta janë shoqëruar nga Policia e Kosovës në pajtim me ligjet në fuqi. Ata janë hequr nga lokalet për shkak të keqpërdorimit të ngjarjeve festive e fetare që mbjellim urrejtje e përçarje dhe cenojnë integrimin etnik në Kosovë”.
“Raporti i UNMIK-ut po ashtu joproporcionalisht vë dritën e vëmendjes te disa incidente të pretenduara te disa objekte fetare në Kosovë. Raporti thekson se Policia e Kosovës ka hapur hetime për secilin incident të regjistruar. Pastaj nuk e thotë se asnjë incident, asnjë provë nuk tregon se shqiptarët i kanë kryer këto vepra apo ndonjë provë të tensioneve etnike që qëndrojnë si motiv i këtyre kundërvajtjeve”.
“Pra është e palogjikshme që UNMIK-u t’i regjistrojë ato si incidente zyrtarisht etnike. Ato ekzistojnë vetëm në raportet e Serbisë dhe në pretendimet që bëhen nga zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë”, deklaroi ministri i Jashtëm, teksa kërkoi nga UNMIK-u “të mos keqinterpetojë mikroincidentet që e portretizojnë gjendjen si fragjile”.
“I bëjmë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm që të ushtrojë vëmendje dhe të përmbahet nga miratimi i raportit të njëanshëm të çrregulluar si narrativ i UNMIK-ut që i bën jehonë propagandës së Serbisë. Raporti i saktë është qenësor për të siguruar që ky mision të mos bëjë dëm, përkundër faktit që ka qëndruar kaq gjatë”, theksoi Konjufca.








