Më 14 janar të vitit 1990 u bë demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Mijëra qytetarë të Shkodrës u mblodhën në qendër të qytetit duke protestuar në heshtje.
Qëllimi i tyre ishte rrëzimi i bustit të Stalinit, por kjo përpjekje ishte sinjal i veprimeve të tjera antikomuniste që do të pasonin. Ngjarja u përcoll edhe në mediat e huaja si BBC “World Service”, RAI, VOA – Zëri i Amerikës. Ky tubim kishte ditë që planifikohej. Nismëtarët kishin njoftuar shumë qytetarë në mënyrë që t’i bashkëngjiteshin protestës dhe përmasat e saj të ishin të mëdha.
Lëvizjet e organizatorëve nuk i kishin shpëtuar Sigurimit të Shtetit, i cili ishte në dijeni të një tubimi të tillë, duke i konsideruar ata “elementë armiq të frymëzuar nga ngjarjet në vendet e Evropës Lindore”. Sipas Autoritetit të Dosjeve, përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dëshmohen përgatitjet, mbikëqyrja dhe arrestimet që paraprinë demonstratës së 14 janarit 1990. Dokumentet hedhin dritë mbi mënyrën se si pushteti reagonte ndaj çdo shenje kundërshtimi qytetar. Kjo protestë nuk i përmbushi pritshmëritë e organizatorëve, pasi strukturat e Sigurimit të Shtetit arrestuan, në datat 13 dhe 14 janar, drejtuesit kryesorë të saj.
Një pjesë e tyre u dënuan me disa vite burg me akuzën e agjitacion e propagandë, diversion apo moskallëzim krimi. Sipas tij qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dënuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë doli nga burgu në gjendje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makabër
Parullat antikomuniste
Studiuesi Kastriot Dervishi ka rrëfyer për masat që kishte marrë Sigurimi i Shtetit dhe orët që paraprinë këtë demonstratë. Të shtunën në darkë, regjimi kishte marrë masat të parandaluar demonstratën e nesërme, e diel 14 janar 1990. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i PPSH-së kishin dërguar njerëzit e vet të ishin të pranishëm këtu. I gjithë grumbullimi do filmohej në mënyrë të fshehtë, material i cili nuk dihet ku ka përfunduar. DPB Shkodër hapi dosjen nr.126, ndërsa Hetuesia e Përgjithshme atë nr.113.
Hetuesia i vlerësonte pjesëmarrësit në rreth 2000 veta. Rolin kryesor në tubimin e 14 janarit e kishte Rini Monajka. Intensiteti kryesor i veprimeve shihet në datat 13-16 janar 1990. Ndërsa vijonin veprimet për “zbërthimin” e atyre që ishin arrestuar (Dedë Kasneci ishte në pozita të forta mohuese në hetuesi), veprimi kryesor mbeti vëzhgimi i afërt i atyre që do i afroheshin bustit të Stalinit. U vendos që elementët më aktivë, që ishin filmuar në datën 14 afër bustit, “disa përpunime me të dhëna të mprehta, të goditeshin”.
Nga 21 personat e arrestuar, 7 prej tyre pranuan qëllimin e pjesëmarrjes, ndërsa shumica jo. Në datat 13-16 pati rritje të fletushkave e parullave antikomuniste, ndërsa më 15 u hodh pas Komitetit të Partisë një dinamit i përgatitur, i cili nuk realizoi plasjen “për vigjilencë të lartë të policit të shërbimit”. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi relatonte se qëllimi i demonstratës kishte qenë rrëzimi i bustit të Stalinit dhe më pas takimi me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhemal Dymylja, të cilit protestuesit do i kërkonin liri shtypi, fjale, demokraci, etj.. Në të gjitha shënimet vihet re se frymëzim kryesor kishin qenë zhvillimet në Lindjen komuniste. Hetuesia e përqendroi çështjen e saj te personat pjesëmarrës në demonstratë, si dhe ata që kishin shkruar parullat e këtyre ditëve.
Arrestimet dhe torturat
Qytetarët e Shkodrës u ngritën në mënyrë spontane në protestë kundër regjimit komunist. Atë ditë historike, me mijëra shkodranë kishin dalë në qendër të qytetit dhe u përpoqën të hidhnin bustin e Stalinit, por policia dhe ushtria komuniste arrijnë të shpërndajnë turmën. Zemërimi i regjimit në grahmat e fundit ra mbi dhjetëra protestues, të cilët u arrestuan dhe u dhunuan barbarisht në burgje. Në fund të prillit 1990 grupi i Shkodrës që kishte organizuar demonstratën për rrëzimin e bustit të Stalinit doli para trupit gjykues të kryesuar prej Shefqet Muçit në Gjykatën e Lartë.
Gjykimi në atë shkallë u hiqte atyre të drejtën e apelimit dhe de facto e kthente dënimin në formën e prerë. Akuza mbështetej tek nenet 55/1+13 e 57 e të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e një organizate kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryerjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë. Dënimet për këto nene mund të shkonin deri në pushkatim, por kohët kishin ndryshuar. Gjatë hetuesisë e cila u drejtua prej një grupi hetuesish të udhëhequr prej vetë zv.ministrit Zylyftar Ramizi, u përdor dhunë çnjerëzore, në veçanti kundër Rini Monajkës, i cili siç rrëfen vetë në ditarin e mbajtur disa muaj më vonë në burgun e Burrelit, gjatë spostimit me makinë nga Dega e Punëve të Brendshme në Shkodër për në Tiranë u rrah shtazërisht prej sambistave, të cilët i shkaktuan një frakturë prej shtatë centimetrash në kafkë. Por regjimi përpiqej që krahas dhunës të tregonte edhe një farë qetësie.
Ramiz Alia gjatë një vizite në Uzinën Traktori u shpreh se “Taraboshin nuk e lëviz era”. Por “Era e Lindjes” që po frynte nga Berlini në Pragë e në Timishoara kishte mbërritur edhe në Shkodër, duke sjellë jehonën e ngjarjeve epokale që po shënonin rënien e diktaturave dhe përmbysjen e ideologjisë komuniste. Batarja që pak javë ma parë kishte shtri përdhe çiftin Çaushesku ishte tepër afër për mos me u ndie në Tiranë dhe e gjithë makineria e dhunës iu sul tetë organizatorëve të demonstratës e në veçanti Rini Monajkës.
Kjo ngjarje, për vetë rëndësinë dhe kohën në të cilën u zhvillua, me të drejtë u konsiderua si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Pati jehonë brenda e jashtë Shqipërisë, u analizua dhe komentua nga mediat ndërkombëtare sepse hapi rrugën më pas edhe zhvillimeve të tjera demokratike në mbarë Shqipërinë, e frytet e saj demokratike nuk u vonuan. Lek Kurti, pjesëmarrës në këtë demonstratë bashkë me gruan dhe fëmijën vetëm 2-vjeçar në krah ka rrëfyer vite më parë se lëvizja u nxit nga ndryshimet në Evropën Lindore.
Në një intervistë për mediat në Shkodër ai kujton se një natë para protestës sigurimi i shtetit bëri terror nëpër lagjet ku mendohej se kishte elementë që po organizonin këtë reagim qytetar duke arrestuar të paktën 4 vetë gjatë natës, por përsëri nuk arritën ta pengonin mbajtjen e saj. Ndërsa Filip Guraziu në një shkrim të disa viteve më parë shprehet se “nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demonstratës se parë antikomuniste të 14 janarit pikërisht në Shkodër”. “Populli i Shkodrës dhe i malësive për rreth edhe më parë kishin demonstruar se komunizmi ishte i huaj për to.
Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën perëndimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike nuk mundi ta pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetëmohim të malësorëve Kelmendas në janar te 1945 dhe kryengritjen e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shembuj unikë në Shqipëri dhe jo vetëm.
Terrori politik që pasoi 14 janarin 1990 nuk arriti të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër për të qenë shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 qershorin 1990, 11 nëntorin 1990, 13 dhjetorin 1990 dhe 2 prillin 1991. Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre qe u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin të ju rikujtoj historianëve faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër! Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i hemelit, ishte demonstrata e 14 janarit 1990”, është shprehur Guraziu.










