spot_img
spot_img
Monday, December 29, 2025
spot_img
spot_img

LDK-ja: KTHIM TE RUGOVA OSE ZHDUKJE POLITIKE

Skender Zogaj

Së pari, duhet thënë pa ekuivok se rezultati i LDK-së në këto zgjedhje nuk është as befasi dhe as padrejtësi. Përkundrazi, është një rezultat i merituar, madje më i mirë sesa realisht e ka merituar kjo LDK që po shohim sot. Ky rezultat është shpëtuar vetëm falë militantëve besnikë, njerëzve që emocionalisht dhe jetikisht janë ende të lidhur me idealet e Ibrahim Rugovës. Pa ta, LDK-ja do të ishte zhdukur politikisht nga skena.

Por e vërteta është e hidhur: LDK-ja prej vitesh, me vetëdije të plotë, ka braktisur kursin e saj historik. Është shkëputur nga Magjistralja Ibrahim Rugova dhe është futur në një “rrugë të re” pa drejtim, pa identitet dhe pa busull politike. Kjo rrugë po e çon LDK-në nga humbja në humbje, drejt një rrëshqitjeje të rrezikshme që kërcënon vetë ekzistencën e saj.

Ky rezultat është alarmi i fundit. Nëse nga kjo humbje nuk nxirret mësim dhe nuk ndërmerret një ringjallje e thellë, atëherë LDK-ja duhet të mbyllet në dosjet e historisë si Partia e Parë Demokratike Shqiptare, ajo që e para në Ballkan e rrëzoi diktaturën komuniste dhe i hapi Kosovës rrugën e çlirimit, lirisë dhe pavarësisë. Të vazhdohet kështu do të ishte tradhti ndaj kësaj trashëgimie.

Analiza e humbjes nuk guxon të jetë formale apo kozmetike. Ajo duhet të jetë e pamëshirshme me të vërtetën. LDK-ja ose do të jetë sërish manifest i vlerave demokratike euro-perëndimore dhe i partneritetit strategjik me botën euro-amerikane, ose nuk do të ketë më asnjë arsye të ekzistojë si forcë politike serioze.

Kjo nuk ndërtohet me slogane boshe, me sallone të mbushura artificialisht dhe me grumbullime njerëzish të seleksionuar nga klane e interesa të ngushta. Pikërisht kjo ka ndodhur gjatë dekadës së fundit: një parti me bosht ideologjik të qartë është shndërruar në një strehë për të frustruar politikë, që shërbejnë vetëm si dekor për një grup njerëzish të shkëputur nga baza, të ardhur për misione të dyshimta dhe për spastrimin sistematik të rugovizmit.

Ajo që po ndodh sot është kulmi i një procesi të qëllimshëm deformimi. Dhe po, tashmë jemi në pikën kritike. Më nuk ka kohë për heshtje, as për kompromis me dështimin.

Lidershipi aktual duhet pa asnjë shmangie të pranojë përgjegjësinë për humbjen dhe të hapë rrugën për ndryshim real. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë dështim është mashtrim ndaj anëtarësisë dhe elektoratit.

LDK-ja duhet urgjentisht të çlirohet nga strukturat e imponuara dhe të kthehet te legjitimiteti demokratik. Sot ajo nuk ka asnjë hallkë funksionale partiake me standard zgjedhor. Nga baza e deri te Kryesia Qendrore, struktura është ndërtuar mbi emërime arbitrare, interesa zinxhirore dhe pazare të mbyllura, ku disa figura pa identitet politik dhe pa lidhje me frymën e LDK-së e mbajnë peng partinë.

Menjëherë, Këshilli Qendror duhet të nisë procesin e brendshëm zgjedhor në të gjitha Degët, nën parimin e panegociueshëm të votës së fshehtë. Kjo është linja e kuqe. Vetëm pas këtij procesi, degët legjitime duhet të delegojnë përfaqësuesit e tyre në organet qendrore, nga ku të ndërtohet një Kryesi Qendrore me mandat të pastër dhe autoritet real politik.

Vetëm kështu LDK-ja mund të kthehet aty ku e ka vendin e saj historik: në shërbim të Kosovës, të qytetarëve dhe të vlerave që e kanë bërë simbol të rezistencës paqësore dhe të shtetndërtimit. Çdo rrugë tjetër është vazhdim i kapjes, degradimit dhe shuarjes së saj përfundimtare.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit