Adnan Merovci ndan një moment simbolik nga takimi i Riçard Holbrukut, Robert Gelbardit dhe Kris Hillit me Ibrahim Rugovën.
Njeriu i afërt me ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, ka publikuar një fotografi të rrallë nga viti 1998, e realizuar gjatë vizitës së një delegacioni amerikan në shtëpinë e Rugovës në Velani, Prishtinë.
Në fotografinë e publikuar, shihen figura të rëndësishme të diplomacisë amerikane, Riçard Holbruk, Robert Gelbard dhe Kris Hill, gjatë takimit me Ibrahim Rugovën, në një periudhë vendimtare për Kosovën.
Merovci ka theksuar simbolikën e momentit, duke shkruar se, edhe pse fotografia mund të duket e rastësishme, “simbolika e duarve të bashkuara flet shumë”. Sipas tij, ky imazh përfaqëson mbështetjen dhe angazhimin e fuqishëm amerikan për çështjen e Kosovës në vitet më të vështira të saj.
Vizita e delegacionit amerikan në vitin 1998 konsiderohet si një nga momentet kyçe të diplomacisë ndërkombëtare në prag të zhvillimeve të mëdha politike dhe të sigurisë në Kosovë.






