spot_img
spot_img
Thursday, February 12, 2026
spot_img
spot_img

Si po shndërrohet në një mega-resort turistik një nga vendet më të shenjta në Botë

Për vite me radhë, vizitorët ngjiteshin në malin Sinai me një udhërrëfyes beduin për të parë lindjen e diellit mbi peizazhin e paprekur shkëmbor ose për të bërë ecje të udhëhequra nga beduinë.

Tani një nga vendet më të shenjta të Egjiptit, i nderuar nga hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët,  është në qendër të një debati lidhur me planet për ta shndërruar atë në një mega-projekt të ri turistik.

I njohur në vend si Xhebel Musa, Mali Sinai është vendi ku thuhet se Moisiut iu dhanë Dhjetë Urdhërimet. Shumë veta besojnë se ky është vendi ku, sipas Biblës dhe Kuranit, Zoti i foli profetit nga kaçubi që digjej.

Manastiri i Shën Katerinës i shekullit të 6-të, i drejtuar nga Kisha Ortodokse Greke, është gjithashtu atje, dhe me sa duket murgjit e tij do të qëndrojnë tani që autoritetet egjiptiane, nën presionin grek, kanë mohuar se duan ta mbyllin atë.

Megjithatë, ende ekziston shqetësim i thellë se si po transformohet vendi i izoluar prej kohësh në shkretëtirë, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që përfshin manastirin, qytetin dhe malin. Hotele luksoze, vila dhe pazare tregtare janë në ndërtim e sipër.

Si po shndërrohet në një mega-resort turistik një nga vendet

Gjithashtu atje është shtëpia e një komuniteti tradicional beduin, fisit Jebeleya. Fisit, i njohur si Rojet e Shën Katerinës, i janë shkatërruar shtëpitë dhe eko-kampet turistike me pak ose aspak kompensim. Ata madje janë detyruar të nxjerrin trupa nga varret në varrezat lokale për t’i hapur rrugë një parkingu të ri makinash.

Projekti mund të jetë paraqitur si një zhvillim i qëndrueshëm dhe i domosdoshëm, i cili do të nxisë turizmin, por ai gjithashtu u është imponuar beduinëve kundër vullnetit të tyre, thotë Ben Hoffler, një shkrimtar britanik udhëtimesh që ka punuar ngushtë me fiset e Sinait.

“Ky nuk është zhvillim siç e shohin ose e kanë kërkuar Jebeleya-t, por siç duket kur imponohet nga lart poshtë për t’i shërbyer interesave të të huajve mbi ato të komunitetit lokal”, i tha ai BBC-së. Ai shtoi se një botë e re urbane po ndërtohet rreth një fisi beduin me trashëgimi nomade. “Është një botë nga e cila ata gjithmonë kanë zgjedhur të qëndrojnë të shkëputur, për ndërtimin e së cilës nuk kanë dhënë pëlqimin dhe një botë që do ta ndryshojë përgjithmonë vendin e tyre në atdheun e tyre”, shprehet Hoffler.

Vendasit, të cilët numërojnë rreth 4 mijë, nuk janë të gatshëm të flasin drejtpërdrejt për ndryshimet.

Ndërtimi në fushën e el-Raha në vitin 2024

Deri më tani, Greqia është fuqia e huaj që ka qenë më e zëshme në lidhje me planet egjiptiane, për shkak të lidhjes së saj me manastirin.

Tensionet midis Athinës dhe Kajros u përshkallëzuan pasi një gjykatë egjiptiane vendosi në maj se manastiri i Shën Katerinës, manastiri më i vjetër i krishterë në botë që përdoret vazhdimisht, ndodhet në tokë shtetërore.

Pas një debati që zgjati disa dekada, gjyqtarët thanë se manastiri kishte “të drejtë të përdorte” vetëm tokën ku ndodhet dhe vendet fetare arkeologjike që ndodhen përreth tij.

Kryepeshkopi Jeronymos II i Athinës, kreu i Kishës së Greqisë, nxitoi ta denonconte vendimin.

“Prona e manastirit po sekuestrohet dhe shpronësohet. Ky far shpirtëror i ortodoksisë dhe helenizmit tani po përballet me një kërcënim ekzistencial”, tha ai në një deklaratë.

Në një intervistë të rrallë, Kryepeshkopi i Shën Katerinës, Damianos, i tha një gazete greke se vendimi ishte një “goditje e rëndë për ne dhe një turp”. Mënyra se si e trajtoi çështjen çoi në përçarje të ashpra midis murgjve dhe në vendimin e tij të fundit për t’u larguar.

Patriarkana Ortodokse Greke e Jerusalemit theksoi se vendi i shenjtë, mbi të cilin ka juridiksion kishtar, i ishte dhënë një letër mbrojtjeje nga vetë Profeti Muhamed.

Si po shndërrohet në një mega-resort turistik një nga vendet

Thuhej se manastiri bizantin, i cili në mënyrë të pazakontë strehon edhe një xhami të vogël të ndërtuar në epokën Fatimide, ishte “një strehë paqeje midis të krishterëve dhe myslimanëve dhe një strehë shprese për një botë të zhytur në konflikt”.

Ndërsa vendimi i diskutueshëm i gjykatës mbetet në fuqi, një valë diplomacie kulmoi në fund me një deklaratë të përbashkët midis Greqisë dhe Egjiptit që siguronte mbrojtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore greke ortodokse të Shën Katerinës.

‘Dhuratë e veçantë’ apo ndërhyrje e pandjeshme?

Egjipti filloi Projektin e Madh të Shndërrimit për turistët, të sponsorizuar nga shteti, në vitin 2021. Plani përfshin hapjen e hoteleve, eko-shtëpizave dhe një qendre të madhe vizitorësh, si dhe zgjerimin e aeroportit të vogël aty pranë dhe një teleferiku për në Malin e Moisiut.

Qeveria po e promovon zhvillimin si “dhuratë e Egjiptit për të gjithë botën dhe të gjitha fetë”.

“Projekti do të ofrojë të gjitha shërbimet turistike dhe rekreative për vizitorët, do të promovojë zhvillimin e qytetit të Shën Katerinës dhe zonave përreth tij, duke ruajtur karakterin mjedisor, vizual dhe të trashëgimisë së natyrës së paprekur, dhe do të ofrojë akomodim për ata që punojnë në projektet e Shën Katerinës”, tha vitin e kaluar ministri i Strehimit Sherif el-Sherbiny.

Ndërsa puna duket se ka ngecur, të paktën përkohësisht, për shkak të problemeve me financimin, Fusha e el-Raha, në pamje të Manastirit të Shën Katerinës, është transformuar tashmë. Ndërtimi i rrugëve të reja po vazhdon.

Zona është e njohur për bukurinë e saj natyrore dhe peizazhin e ashpër malor

Në vitin 2023, UNESCO theksoi shqetësimet e saj dhe i bëri thirrje Egjiptit të ndalonte zhvillimet, të kontrollonte ndikimin e tyre dhe të hartonte një plan ruajtjeje.

Por kjo nuk ka ndodhur.

Në korrik, World Heritage Watch dërgoi një letër të hapur duke i bërë thirrje Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që ta vendoste zonën e Shën Katerinës në Listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Aktivistët i janë drejtuar gjithashtu Mbretit Çarls si mbrojtës i Fondacionit të Shën Katerinës, i cili mbledh fonde për të ndihmuar në ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë së manastirit me koleksionin e tij të dorëshkrimeve të vlefshme të lashta të krishtera. Mbreti e ka përshkruar vendin si “një thesar të madh shpirtëror që duhet të ruhet për brezat e ardhshëm”.

Si po shndërrohet në një mega-resort turistik një nga vendet

Ky nuk është mega-projekti në Egjipt që merr kritika për mungesë ndjeshmërie ndaj historisë unike të vendit.

Por qeveria e sheh serinë e skemave të saj madhështore si çelësin për rigjallërimin e ekonomisë në rënie.

Sektori i turizmit dikur i lulëzuar i Egjiptit kishte filluar të rimëkëmbej nga efektet e pandemisë Covid-19 kur u godit nga lufta brutale në Gaza dhe një valë e re e paqëndrueshmërisë rajonale. Qeveria ka shpallur një qëllim për të arritur 30 milionë vizitorë deri në vitin 2028.

Nën qeveritë e njëpasnjëshme egjiptiane, zhvillimi komercial i Sinait është kryer pa u konsultuar me komunitetet indigjene beduine.

Gadishulli u pushtua nga Izraeli gjatë Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe iu rikthye Egjiptit vetëm pasi të dy vendet nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1979. Beduinët që atëherë janë ankuar se trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Si po shndërrohet në një mega-resort turistik një nga vendet

Ndërtimi i destinacioneve të njohura të Detit të Kuq në Egjipt, përfshirë Sharm el-Sheikh, filloi në Sinai Jugor në vitet 1980. Shumë veta shohin ngjashmëri me atë që po ndodh tani në Kishën e Shën Katerinës.

“Beduinët ishin njerëzit e rajonit dhe ata ishin udhërrëfyesit, punëtorët, njerëzit nga të cilët mund të merrje shtëpi me qira”, thotë gazetari egjiptian Mohannad Sabry.

Ashtu si me vendet në Detin e Kuq, pritet që egjiptianë nga vende të tjera të vendit të sillen për të punuar në zhvillimin e ri të Shën Katerinës. Megjithatë, qeveria thotë se po “përmirëson” edhe zonat e banimit beduin.

Manastiri i Shën Katerinës ka duruar shumë trazira gjatë mijëvjeçarit e gjysmë të kaluar, por kur murgjit më të vjetër në vend u zhvendosën fillimisht atje, ai ishte ende një vend i izoluar.

Kjo filloi të ndryshonte ndërsa zgjerimi i vendpushimeve në Detin e Kuq solli mijëra pelegrinë në udhëtime ditore në orët e pikut.

Si po shndërrohet në një mega-resort turistik një nga vendet

Në vitet e fundit, turma të mëdha shiheshin shpesh duke kaluar pranë asaj që thuhet se janë mbetjet e shkurres që digjet ose duke vizituar një muze që shfaq faqe nga Kodiku i Sinait, kopja më e vjetër në botë e Dhiatës së Re, pothuajse e plotë, e shkruar me dorë.

Tani, edhe pse manastiri dhe rëndësia e thellë fetare e vendit do të mbeten, mjedisi përreth dhe mënyra e jetesës shekullore duket se do të ndryshojnë në mënyrë të pakthyeshme. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img
- MARKETING - Epoxy Amerikanspot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit