Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për projektin e njohur si E1, një nga projektet më të kontestuara të vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Plani përfshin ndërtimin e 3.401 njësive të reja banimi mes Jerusalemit dhe kolonisë Ma’ale Adumim, duke krijuar një korridor që ndan në dysh territorin palestinez, veri dhe jug, dhe duke e bërë praktikisht të pamundur krijimin e një shteti palestinez të pandërprerë dhe të qëndrueshëm.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Lartë i Planifikimit i administratës civile izraelite, që funksionon nën Ministrinë e Mbrojtjes. Projekti kishte mbetur i ngrirë për dekada të tëra për shkak të kundërshtimit të fuqishëm ndërkombëtar, nga BE, SHBA dhe OKB, të cilat prej kohësh e konsiderojnë E1 si “vijë të kuqe” që e bllokon zgjidhjen me dy shtete.
Ministri i Financave dhe lider i ekstremit të djathtë izraelit, Bezalel Smotrich, e quajti vendimin një “akt historik” që “forcon sovranitetin e popullit hebre në zemër të Tokës së Izraelit”.
“Shteti palestinez po hiqet nga tavolina jo me slogane, por me fakte. Çdo vendbanim, çdo lagje, çdo shtëpi e re është një tjetër gozhdë në arkivolin e kësaj ideje të rrezikshme”, deklaroi ai.
Sipas tij, pas dekadash presionesh ndërkombëtare, Izraeli po e lidh përfundimisht Ma’ale Adumim me Jerusalemin, duke e cilësuar këtë si “sionizëm në formën e tij më të mirë: ndërtim, vendosje dhe forcim i sovranitetit”.
Pasojat për palestinezët dhe rajonin
Miratimi i këtij projekti konsiderohet nga shumë analistë si vija ndarëse mes iluzionit të dy shteteve dhe realitetit të një aneksimi gradual. Zonat palestineze në veri dhe jug të Bregut Perëndimor mbeten të shkëputura, ndërsa Jerusalemi Lindor, që palestinezët e kërkojnë si kryeqytetin e ardhshëm, izolohet nga qytetet Ramallah dhe Betlehem.
Organizata izraelite Peace Noë ka paralajmëruar se plani i ri nuk është thjesht një lagje banimi, por një zgjerim masiv që do të rrisë me 33% kapacitetin ndërtimor të Ma’ale Adumim, një koloni që deri më tani ka vuajtur rënie të popullsisë. Sipas tyre, kjo është një strategji për të konsoliduar praninë izraelite përmes faktit të kryer në terren.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar prej kohësh se projekti E1 do të shkatërrojë mundësinë për një marrëveshje paqeje. SHBA dhe BE e kanë konsideruar hapin si provokues, ndërsa OKB e ka cilësuar “shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare”.
Ky zhvillim vjen pak muaj pas vendimit të qeverisë izraelite për ndërtimin e një rruge të re, të quajtur “Fabric of Life”, e cila do të përdoret vetëm nga palestinezët, duke ndarë trafikun e tyre nga ai izraelit dhe duke i konsoliduar kolonitë hebreje përtej Linjës së Gjelbër.
Me këtë vendim, qeveria e Netanyahut i ka dhënë formë vizionit të së djathtës izraelite: asnjë shtet palestinez nuk do të lejohet të lindë në Bregun Perëndimor. Në praktikë, kjo politikë e shndërron konfliktin izraelito-palestinez nga një çështje e pazgjidhur diplomatike në një realitet të kryer në terren, ku negociatat mbeten thjesht retorikë.










