Nënkryetarja e degës së LDK’së në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, njëherësh edhe ish-deputete, ka reaguar për mos-prezencën e kreut të LDK’së, Lumir Abdixhikut, si dhe Vjosa Osmanit në Kuvend.
Krasniqi me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, ka thënë se ndjehet “e turpëruar” që LDK’ja heshti sot para zhvillimeve në Kuvend.
“Lumir e Vjosa, ku jeni sot? Jam thellësisht e turpëruar që partia ime, partia që skicoi vetë idenë e shtetit të Kosovës, sot rri e heshtur, e pa zë, e pa ide – derisa do të duhej ta ballafaqonte këtë pushtet, që jo veç mes partive politike, por ka mbjellur përçarje mbase të pashërueshme në krejt popullin. Çfarë duhet të mendojë sot votuesi i LDK-së? Kush e përfaqëson atë sot?”, deklaron Krasniqi.
Ajo më tej thotë se LDK’ja po dëmtohet jo nga, siç u shpreh ajo, armiqtë por nga ata që “sot do të duhej ta mbronin”.
“Si u bë kështu që partia protagoniste e secilit proces të rëndësishëm të shtetit, sot të jetë një parti e strukur e hedhur diku në margjina. E pafalshme, ofenduese është kjo”, deklaroi ndër të tjera ajo.
Reagimi i saj vjen pas veprimeve demonstrative të PDK-së dhe Aleancës në Kuvend para deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për mos-konstituim të Kuvendit të Kosovës.








