Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rezervat e qymyrit që posedon Kosova, pasi deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka pyetur se pse nuk po aktivizohet potenciali i prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri.
Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve që qarkullojnë, Kosova mund të ketë nga 10 deri në 14 miliardë tonë qymyr në nëntokën e saj. Megjithatë, ai ka theksuar se këto shifra nuk janë të konfirmuara dhe nuk përbëjnë të dhëna të sakta.
Ai ka bërë të ditur se Qeveria synon të realizojë një skanim të gjendjes, për të përcaktuar më saktë pasuritë nëntokësore të Kosovës.
“Është interesant, thuhet që është nga 10 deri në 14 miliardë tonë, që nuk është një e dhënë aq e saktë. Sërish, në përputhje me zotimin tonë para zgjedhjeve, që do ta bëjmë një skanim të gjendjes për atë se ku e sa e si jemi të pasur në nëntokën tonë”, ka deklaruar Kurti në Kuvend.









