Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri ka reaguar lidhur me ndikimin e masave emergjente të Qeverisë për furnizimin me energji elektrike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka krahasuar kapacitetin neto të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit, me atë të hidrocentralit të Ujmanit.
Sipas saj, kapaciteti neto i bllokut B1 është 264 megavatë (MW), ndërsa ai i hidrocentralit të Ujmanit është vetëm 35 MW.
Ymeri ka theksuar se kapaciteti i Ujmanit është 7.5 herë më i vogël sesa ai i bllokut B1, duke vlerësuar se masat e ndërmarra nga Qeveria kanë ndikim të papërfillshëm për nga kapaciteti energjetik.
“Praktikisht, masat qeveritare për nga kapaciteti janë pa efekt”, ka shkruar ajo.









