“Nuk mjafton të mallkosh Hagën”, Sonila Meço drejton gishtin te përgjegjësit për Gjykatën Speciale

Gazetarja shqiptare, Sonila Meço, ka reaguar pas pamjeve të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili nuk u lejua të takonte vëllanë dhe motrën e tij në Kosovë pa autorizimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në një postim të gjatë, Meço e ka cilësuar të dhimbshme situatën, duke theksuar se përtej emocioneve duhet analizuar edhe përgjegjësia politike për krijimin e Gjykatës Speciale.

Ajo ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara u votuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, duke kritikuar politikanët që mbështetën këtë model të drejtësisë dhe, sipas saj, nuk siguruan garanci të mjaftueshme para miratimit të tij.

Meço ka kritikuar gjithashtu reformën në drejtësi në Shqipëri, duke përmendur përgjegjësinë e kryeministrit Edi Rama, Gjykatës Kushtetuese, prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Postimi i saj:

Mizore pamja e Jakup Krasniqit që nuk mund të takojë të vëllanë e të motrën në Kosovë. I shoh dhe rishoh ato skena të trishta mbarusur ironie zeher ku një prej drejtuesve të luftës për çlirimin e Kosovës, sot në Kosovën e lirë ndeshet me një kufi të padukshëm brenda saj. Nuk është kufi shtetëror, nuk ka ushtarë e as tela me gjemba.

Pamjet janë pasojë e vendimit të një gjykate Kosove, me seli jashtë saj,të miratuar qysh në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe të përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Për at’ përqafim, duhet marrë leje bash nga ajo gjykatë, në Hagë.

Ai trishtim prej distancës fizike mes vëllezërve sa nje ngrehinë Hage është dhimbje prej pasojës. Nuk del dot nga ajo hulli e errët ligështie nëse nuk arsyeton shkakun.

Rreziku më i madh i përqendrimit te pasoja është se na emocionon aq fort, sa na kursen mundimin për të kuptuar shkakun. Pasoja prodhon revoltë, indinjatë, psherëtimë kolektive, na bashkon në dhimbje, ndërsa shkaku kërkon përgjegjësi, na detyron të identifikojmë vendimet, autorët, interesat që i diktuan.

Ja pse s’mund ta shterojmë energjinë veç me atë që na trondit sot, e të lëmë të paprekur mekanizmin që mund të na tronditë sërish nesër. Se do vijojmë me ritualin shterues të dënimit të padrejtësive pa rrezikuar kurrë pushtetin që i bëri të mundura.

Dhe ngjitemi tek shkaqet, sepse fati, me atë ironinë e vet acaruese i rri si shtroje e përbashkët Kosovës e Shqipërisë.

Negociimi i sovranitetit për Kosovën e Shqipërinë ka prodhuar pasoja të rënda në drejtësinë e dy vendeve.

Me një lehtësi tribale, tundim pushteti, mungesë vizioni e stofi shtetar, janë nëshkruar vendime për konçesione afatshkurtra, pa kuptuar se me to është firmosur edhe përgjegjësia, por edhe fati i një shoqërie për të jetuar me pasojat afatgjata të tyre.

Si arriti Kosova të krijojë, me votën e institucioneve të veta, një gjykatë të së drejtës kosovare, me personel ndërkombëtar dhe seli jashtë territorit, vendimet e së cilës sot ngjajnë kaq të largëta nga ndjeshmëria e saj shoqërore?

Dhomat e Specializuara, Kuvendi i Kosovës votoi më 2015 si një arkitekturë të jashtëzakonshme drejtësie. Mund të diskutohet sa reale ishte liria e zgjedhjes në ato rrethana. Por ekzakt për këtë duhej më shumë përgjegjësi politike, garanci të siguruara para nënshkrimit.

Ja pse para çdo kufizimi që ngre dyshime për proporcionalitetin, nuk mjafton të mallkosh Hagën, por t’i rrish gjatë atij çasti e njerëzve që e votuan modelin, që e mbrojtën politikisht, që heshtën për rreziqet dhe që sot shfaqen të tronditur nga pasojat e një sistemi që dikur e mbështetën si domosdoshmëri historike për interesa ngushtësisht pushteti. Patjetër se përgjegjësia e politikës nuk e përjashton përgjegjësinë e gjyqtarëve për vendimet e tyre, qofshin ata ndërkombëtarë. E me ç’po duken bathët, sidomos ndërkombëtarë.

Ndërkohë kur merr zjarr debati në Shqipëri për këtë çështje, do cazë guxim të shohësh përtej dhimbjes së asaj koke të bardhë, e shpirti të drobitur të Krasniqit. Nuk mund të bësh patetizma me pezmin dhe protestën morale ndaj turpit të Hagës, pa e krehur mirë atë masakër drejtësie që ka kërrusur shoqërinë shqiptare.

Reforma në drejtësi, që Edi Rama e ka përdorur për vite si kapital politik, ka prodhuar dëme të frikshme me paraburgimet, proporcionalitetin, standardet e gjykimit, mosveprimet dhe llogaridhënien. Ndërkohë, si të mos mjaftonin pasojat e njohura të negociimit të sovranitetit, Gjykata Kushtetuese ka miratuar një rregullim që lejon vëzhguesit e ONM-së të jenë të pranishëm edhe në dhomën e këshillimit për çështjet e rivlerësimit. Dhe kjo pai u shkatërrua sistemi me një vetting të dështuar. Çfarë kuptimi ka pavarësia, nëse edhe formimi i bindjes së njerëzve të drejtësisë duhet të zhvillohet nën vëzhgimin e patronazhimin ndërkombëtar, atij të provuarit se i nënshtrohet interesave të pushtetit dhe lobingjeve të tij?

Sot, kushdo flet për trishtimin e Krasniqit nga platformat e Shqipërisë duhet të analizojë përgjegjësitë e Ramës për reformën që kapi dhe promovoi, të Gjykatës Kushtetuese në rregullimin që miratoi, të prokurorëve e gjyqtarëve për vendimet që marrin e s’marrin. Asnjëra nuk e shuan tjetrën.

Sovraniteti s’mund të nxirret si mantel nga sënduku sa herë duhet një rifreskim imazhi me bulëza patriotike. Sovranitet është aftësia për të ndërtuar institucione që garantojnë drejtësi, për t’i kontrolluar me mekanizma kushtetues dhe për të kërkuar përgjegjësi pa cënuar pavarësinë e tyre.

Indinjata për dhimbjen shpirtërore e familjare të Krasniqit, kërkon doemos edhe në respekt të saj dhe çdo pasoje të ngjashme, t’u shkohet shkaqeve gjer në fund. Autorëve dhe mbështetësve të tyre, që nuk e mësuan edhe pas shekujsh se ligjet duhen bërë nga ata që nuk e dinë nëse nesër do të jenë “padronë a skllevër”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit