Altin Allmuça, 48-vjeçari i cili vrau me armë zjarri gruan shqiptare, Julieta Obzova, me të cilën dyshohet se ka pasur edhe një lidhje, ka qenë i martuar dhe babai i një fëmijë.
Sipas raportimeve nga mediat greke, bashkëshortja e 48-vjeçarit është marrë në pyetje nga autoritetet dhe ka deklaruar se “nuk ka qenë në dijeni të një marrëdhënie të tij me 45-vjeçaren”.
Ndërkohë policia po shqyrton provat që sugjerojnë se burri dhe gruaja kishin një marrëdhënie personale, megjithëse natyra, kohëzgjatja dhe intensiteti i marrëdhënies nuk janë sqaruar ende plotësisht.
Kjo konsiderohet thelbësore për hetimin, pasi autoritetet po kërkojnë motivin që e shtyu 48-vjeçarin të kryente vrasjen.
Po ashtu policia ka zhvilluar kontrolle në banesën e 48-vjeçarit në Tavros, me qëllim identifikimin e provave që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij me 45-vjeçaren dhe përgatitjen e krimit.
Policia po kërkon, ndër të tjera, pajisje elektronike, dokumente dhe çdo gjetje tjetër që mund të ndihmojë në rindërtimin e lëvizjeve të tij të fundit dhe komunikimeve që ai kishte pasur përpara se të shkonte në Nea Smyrni. Njëkohësisht, po shqyrtohen telefonat celularë dhe aktivitetet online të dy individëve, me qëllim përcaktimin nëse ka pasur ndonjë tension, takim apo komunikim që mund të lidhet me atë që ka ndodhur më pas.








