Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në lidhje me incidentin e ndodhur në Lipjan që përfundoi me vdekjen e një qytetari.
Sipas njoftimit të IPK-së, arrestimi është bërë pas hetimeve të zhvilluara në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Të arrestuarit janë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të cilët ishin të përfshirë në ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë incidentit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhrin për këtë masë, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut.
Ndaj tyre është marrë masa e ndalimit për 48 orë me vendim të prokurorit.
Lajmin e ka konfirmuar Kaltrina Shala, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“E konfirmoj se janë arrestuar pesë zyrtar policor për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë detaje sepse mund të dëmtojmë integritetin e hetimeve”.
Ndryshe, Gazeta ka publikuar emrat e pesë zyrtarëve policorë që janë suspenduar përkohësisht në lidhje me rastin e rëndë të ndodhur në Lipjan, ku një 27-vjeçar u raportua si viktimë në rrethana të dyshimta.
Burimet bëjnë me dije se të suspenduarit janë: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipjan, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.
Vendimi për suspendim është marrë pas vlerësimit të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët në menaxhimin e rastit, i cili po trajtohet tashmë nga njësitë kompetente dhe Prokuroria.









