Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sipas IPK-së, hetimet preliminare kanë evidentuar mangësi në ekzekutimin e urdhrave mbrojtës, trajtimin e raportimeve për dhunë në familje dhe funksionimin e zinxhirit komandues në Policinë e Pejës.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me urdhrin mbrojtës të 7 shtatorit 2026, për të cilin IPK-ja thotë se nuk ka dokumentacion që dëshmon ekzekutimin e tij nga Policia e Kosovës.
“Urdhri i dytë mbrojtës i datës 16 tetor 2026 është ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Sipas Inspektoratit, ekzekutimi i këtij urdhri ndodhi pasi IPK-ja kishte pranuar fillimisht një informatë nga vetë Zekaj.
Një tjetër çështje e evidentuar gjatë hetimeve është mosshqyrtimi nga zinxhiri komandues i një emaili të 23 tetorit, të dërguar nga një hetues policor, i cili kishte kërkuar vlerësim të rastit dhe asistencë shtesë.
Në këtë email, hetuesi kishte propozuar që Zekaj të vizitohej nga patrullat policore me uniformë dhe të kishte komunikim më të shpeshtë me policinë, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë.
IPK-ja ka vlerësuar se ka pasur dështime në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës.
“Dështim i zinxhirit përgjegjës komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimit të nivelit të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit.
Sipas IPK-së, këto mangësi përfshijnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë, si dhe njësitë e hetimeve në nivel rajonal dhe në nivel stacioni.
Bazuar në gjetjet preliminare, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve policorë.
Në mesin e tyre janë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të Operativës, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
Veprimet hetimore po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit. IPK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke respektuar ligjshmërinë dhe prezumimin e pafajësisë.








