Unaza e Jashtme e Prishtinës: Prova e seriozitetit

Shkruan Ismet Haziri

Më 2 Nëntor 2026, Qeveria prezantoi Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili për herë të parë parasheh mbi 1 miliard euro investime kapitale. Në mesin e projekteve të përmendura është edhe Unaza e Jashtme e Prishtinës, me rreth 29 kilometra gjatësi, projekti më i madh i paraparë ndonjëherë për kryeqytetin.

Rëndësia e këtij projekti tejkalon kufijtë e Prishtinës. Për shkak të modelit radiocentrik të zhvillimit urban, të gjitha rrugët nacionale konvergojnë në qendrën e kryeqytetit, duke shkaktuar mbingarkesë kronike, ndotje dhe humbje të vazhdueshme kohe për qytetarët. Unaza nuk e çliron vetëm Prishtinën, por lëvizjen e çdo qytetari të Kosovës që e përdor kryeqytetin si nyje transitore. Në thelb, ajo është një instrument për kursimin e kohës dhe rritjen e efikasitetit ekonomik.

Për disa vite, projekti ka mbetur peng i bllokimit institucional. Komuna e Prishtinës ka deklaruar se kishte siguruar gatishmërinë e BERZH-it për financim përmes një kredie të butë, të ripagueshme nga vetë komuna, por se mungonte garancioni sovran nga Ministria e Financave. Ky ngërç pasqyron një problem më të thellë të qeverisjes sonë, ku projektet strategjike bëhen viktimë e kalkulimeve politike afatshkurtra dhe mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional.

Përfshirja e Unazës në buxhetin qendror si investim direkt, e jo më si kredi komunale, paraqet një ndryshim të qasjes. Nëse ky zotim është serioz, kemi të bëjmë me projektin e parë serioz infrastrukturor që Qeveria ndërmerr për transformimin strukturor të kryeqytetit, një projekt që zgjidh problemin në rrënjë e jo vetëm në sipërfaqe.

Megjithatë, përvoja me projektet e mëdha kapitale në Kosovë e bën skepticizmin të arsyeshëm. Shumë projekte kanë mbetur vetëm në ndarje buxhetore, pa plan dinamik dhe pa afate zbatimi. Ekziston rreziku që edhe Unaza të mbetet një premtim për të cilin qytetarëve u mbetet t’i lutemi Zotit që e vërteta të bëhet realitet. Por shteti nuk ndërtohet me lutje, por me punë, transparencë dhe llogaridhënie.

Prandaj, Unaza duhet të jetë test i pjekurisë sonë institucionale. Ajo kërkon depolitizim, transparencë në financim dhe prokurim, si dhe bashkëpunim të vërtetë ndërmjet Qeverisë dhe Komunës. Nëse këto kushte plotësohen, do të jetë projekti që i jep frymë Prishtinës. Nëse jo, do të jetë dëshmi tjetër se në Kosovë është më lehtë të premtosh një rrugë sesa ta ndërtosh atë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit