Tragjedi: Zjarri ua merr jetën tre fëmijëve shqiptarë

Sipas komunitetit shqiptar në Jacksonville, familja kishte pesë fëmijë. Nëna kishte lindur dy herë binjakë. Prindërit, fëmija 9-vjeçar dhe bebeja 2-muajshe po luftojnë për jetën.

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville, Florida. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht 2026, një zjarr i fuqishëm përfshiu një banesë dykatëshe në Windergate Drive, në zonën Mandarin të Jacksonville, Florida. Tre fëmijë – binjakët 11-vjeçarë dhe një djalë 2-vjeçar – humbën jetën. Dy të rritur, një fëmijë 9-vjeçar dhe një bebe 2-muajshe mbetën në gjendje kritike në spital.

Sipas shefit të Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden, alarmi u dha rreth orës 05:13. Zjarrfikësit mbërritën brenda katër minutash dhe gjetën flakë të forta në katin e parë, si dhe tym të dendur në katin e dytë.

Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin para mbërritjes së ekipeve të shpëtimit. Gjatë kërkimit të tyre, tre fëmijët e tjerë u gjetën pa shenja jete. Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:38, por shkatërroi plotësisht banesën dhe dëmtoi dy njësi ngjitur.

Kryqi i Kuq Amerikan po ndihmon shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë të zhvendosur nga banesat e përfshira nga flakët.

Familja e viktimave, sipas njoftimeve në rrjetet sociale nga Florida, është me origjinë shqiptare, nga Lushnja, dhe kishte emigruar prej vitesh në Shtetet e Bashkuara. Sipas informacioneve të komunitetit atje, bëhet fjalë për familjen e Genti Manatit. Gjyshërit e fëmijëve, Alie dhe Artan Sulovari, kanë qenë në vendngjarje.

Sipas komunitetit shqiptar në Jacksonville, familja kishte pesë fëmijë. Nëna kishte lindur dy herë binjakë. Prindërit, fëmija 9-vjeçar dhe bebeja 2-muajshe po luftojnë për jetën. Komshinjtë dhe anëtarë të komunitetit thonë se bebja u hodh nga dritarja e katit të dytë nga zjarrfikësit dhe u kap nga kalimtarët, ndërsa prindërit po përpiqeshin të shpëtonin fëmijët nga flakët.

Raimonda Moisiu, shkrimtare dhe freelancere që banon në Jacksonville, tha se lajmin e mësoi fillimisht nga televizioni lokal Action News4 Jax dhe më pas e konfirmoi përmes grupit “Shqiptarët në Jacksonville” në Facebook.

Ajo theksoi se prindërit ndodhen në gjendje kritike dhe u lutet për shërim të shpejtë: “Shqiptarët e Jacksonville dhe të gjithë Floridës po vijnë në ndihmë me çfarë të kenë. Është hapur edhe një GoFundMe”, tha Moisiu.

Në mesazhin e saj të ngushëllimit, ajo shprehu dhimbje të thellë për humbjen e tre engjëjve të vegjël dhe theksoi se ky zjarr “plagosi rëndë zemrën e mbarë familjes Manati dhe krejt komunitetit shqiptar”. Lutjet janë me prindërit dhe dy fëmijët e tjerë që luftojnë për jetën.

Kushërira e familjes, Alessia Firi, i tha televizionit lokal News4JAX se, në bashkëpunim me komunitetin, ajo ka hapur një fushatë GoFundMe për të mbuluar shpenzimet mjekësore dhe ato të funeralit. “Deri tani janë mbledhur mbi 110 mijë dollarë”, tha ajo, duke theksuar se familja dhe komuniteti janë thellësisht të hidhëruar, por shpresojnë për shërimin e të mbijetuarve.

Shkaku i zjarrit është ende nën hetim. Hetimi po kryhet nga Zyra e Marshallit të Shtetit – Luftës Kundër Zjarrit dhe njësia e hetimeve të vrasjeve e Departamentit të Policisë së Jacksonville.

Komuniteti shqiptar në Jacksonville vazhdon të mobilizohet për të ndihmuar familjen e goditur.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit