Një aksident i rëndë trafiku në Denizli të Turqisë ka përfunduar me tetë viktima dhe 33 të lënduar, pasi një autobus pasagjerësh u përfshi nga flakët pas daljes nga rruga.
Sipas mediave turke, autobusi që po udhëtonte nga Izmiri drejt Antalias ka humbur kontrollin, është përplasur me barrierat mbrojtëse dhe më pas është përfshirë nga zjarri.
Në mesin e viktimave është edhe një foshnje 9-muajshe, e cila nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Raportohet se babai i saj ka tentuar ta mbrojë duke e mbuluar me trupin e tij, por të dy kanë humbur jetën në këtë tragjedi.
Dëshmitarë të ngjarjes kanë deklaruar se rreth 20 minuta para aksidentit, shoferi kishte ndaluar autobusin për të kontrolluar një defekt të mundshëm, përpara se të vazhdonte udhëtimin.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipe të shumta emergjente, përfshirë policinë, zjarrfikësit dhe shërbimet shëndetësore, të cilat kanë arritur të shuajnë zjarrin brenda rreth gjysmë ore.
Ndërkohë, 33 të lënduarit janë dërguar në spitale për trajtim mjekësor, ndërsa dy prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje kritike.










