Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e fundit e gushtit, nga 24 deri më 28 gusht, pritet të karakterizohet nga mot i nxehtë dhe kryesisht i qëndrueshëm, me intervale të gjata me diell dhe vranësira të herëpashershme.
Sipas parashikimit, temperaturat do të jenë mbi mesataren për këtë periudhë, ndërsa në disa zona temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 35-36°C.
Të hënën dhe të martën pritet mot kryesisht me diell, me temperatura maksimale nga 29 deri në 35°C. Të mërkurën parashihen vranësira të çrregullta dhe reshje lokale, kryesisht shi, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 11 deri në 33°C.
Të enjten pritet mot me diell dhe vranësira, ndërsa e premtja pritet të jetë ndër ditët më të nxehta të javës, me temperatura maksimale deri në 36°C.
IHMK ka bërë thirrje për kujdes nga temperaturat e larta, veçanërisht gjatë mesditës dhe pasdites. Qytetarëve u rekomandohet të konsumojnë mjaftueshëm lëngje, të shmangin qëndrimin e gjatë në diell dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta.
Ndërkohë, indeksi UV pritet të jetë i lartë deri në shumë të lartë. Temperaturat e larta dhe moti kryesisht i thatë pritet të rrisin gjithashtu nevojat për ujitje të kulturave bujqësore.








