Gazeta ka siguruar dokumentin ekskluziv që tregon se dy nga personat që po kërkohen nga Policia e Kosovës për vrasjen e trefishtë të ndodhur sot në Gjilan, kishin qenë të arrestuar edhe vitin e kaluar për veprën penale të Fajdes.
Bëhet fjalë për Mefail Shkodrën dhe djalin e tij Edonis Shkodrën, të dy nga fshati Velekincë i Komunës së Gjilanit, të cilët më 21 qershor 2024 ishin ndaluar nga Policia me urdhër të Gjykatës Themelore – Departamenti Special në Prishtinë, për shkak të dyshimit se ishin përfshirë në fajde.
Sipas aktvendimit të siguruar masa e ndalimit policor ishte vendosur në orën 06:15 të mëngjesit të asaj dite, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale dhe zhvillimit të seancës gjyqësore ku morën pjesë prokurorët, avokatët mbrojtës dhe të pandehurit.
Aktualisht, Mefail Shkodra, së bashku me djemtë e tij Edonis dhe Engjull Shkodra, po kërkohen nga Policia si të dyshuar për ngjarjen e rëndë të sotme ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën disa të tjerë në një kafiteri në qendër të Gjilanit.
Policia ka vënë në lëvizje të gjitha njësitë për lokalizimin dhe kapjen e tyre, ndërsa hetimet po vazhdojnë.









