Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të nisë hetimet për çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i cili është në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Në një deklaratë, ministri Sveçla theksoi se ka kërkuar angazhimin maksimal të strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vend.
Ai u shpreh i pakompromis në mbështetjen e koordinimit ndërinstitucional për krijimin e institucioneve kredibile dhe në shërbim të qytetarëve.
“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin dhe luftimin e veprimtarive ilegale”, tha ministri.
Ai gjithashtu bëri apel që edhe drejtësia të veprojë me të njëjtën vendosmëri për të siguruar një ambient ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji në Republikën tonë.
Ndryshe, Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij vazhdojnë të jenë në arrati, edhe 24 orë pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, rast për të cilin janë shpallur në kërkim si të dyshuar.









