Rigjykimi i Endrit Nikës pritet të nisë sot në orën 09:30 në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me vdekjen e partneres së tij, Maria Clara Urdangaray.
Nika ishte shpallur më herët fajtor nga kjo gjykatë dhe ishte dënuar me 18 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes së rëndë” të Maria Clara Urdangaray.
Maria Clara Urdangaray, sipas dokumentarit, ndërroi jetë rreth orës 04:27 të 1 gushtit 2023. Vdekja e saj ndodhi afërsisht tri orë pasi ajo kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit “Sonoma” në Fushë Kosovë, ku qëndronte së bashku me të dashurin e saj, Endrit Nikën.
Prokuroria pretendon se, gjatë goditjeve dhe shtyrjeve, viktima kishte përfunduar në cep të dhomës, pa mundësi largimi, ndërsa më pas korniza e dritares ishte shkëputur dhe ajo kishte rënë jashtë.
Nika ka mohuar se e ka prekur Maria Clara Urdangaray me dorë, duke paraqitur një tjetër version për atë që kishte ndodhur.
Ekspertiza e kornizës së dritares ishte realizuar vetëm pas një viti e gjysmë, në kohën kur pronari i hotelit e kishte zëvendësuar atë me një kornizë të re me tri shtresa xhami, duke ndryshuar strukturën e mëparshme.








