Është ndarë nga jeta imami i njohur ferizajas, Lutfi Halili, i cili kishte shërbyer edhe si sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili përmes një telegrami ngushëllimi ka shprehur dhimbjen për humbjen e tij.
Aliu ka vlerësuar lart kontributin e Halilit në jetën fetare dhe shoqërore, duke theksuar mirësinë, urtësinë dhe përkushtimin e tij ndaj besimit.
“Vepra e kontributi i tij, mirësia e urtësia që rrezatonte personaliteti i tij, vepra e themeltë e shpirtplote që iu kushtua Krijuesit e besimit, mbeten më e çmuara trashëgimi e frymëzim që la pas i ndjeri”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Kryetari Aliu ka shprehur ngushëllime për familjen Halili, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë qytetarët e Ferizajt.
“Shpirti i tij fisnik pushoftë në paqe”, ka përfunduar mesazhin e tij Aliu.










