Gjashtë të arrestuarit në operacionin antidrogë “Heshtja”, mes tyre ish-ministri Astrit Haraqija, janë sjellë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin.
Gazeta ka raportuar se të arrestuarit janë Astrit Haraqija, Jeton Stanovci, Albana Xhemajli-Ramadani, Alban Maloku, Gëzim Feka dhe Baftije Feka. Kjo e fundit ishte fillimisht në kërkim policor dhe u arrestua më pas.
Operacioni “Heshtja” u zhvillua më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për dyshimet për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.
Gjatë bastisjeve, Policia sekuestroi rreth 1,6 kilogramë kokainë, vetura luksoze dhe rreth 16 mijë euro para të gatshme.
Sipas raportimit vlera e përgjithshme e aseteve të sekuestruara kalon 300 mijë euro.









