Veprimtaria biznesore e naftarëve të Kosovës po del të jetë një problem serioz për shtetin dhe konsumatorët, pasi që shumë prej tyre po zbulohen duke punuar ilegalisht, abuzuar me çmime e duke u marrë me kontrabandë.
Veriu.info ka siguruar dokumente zyrtare që tregojnë se si kompania “Spahia Petrol” me pronar Xhevat Spahija, me seli në Suharekë, është zënë duke punuar ilegalisht.
Në dosjen e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut e siguruar nga Veriu.info, thuhet se inspektorët me 25 shkurt 2026 kanë inspektuar kompaninë “Spahia Petrol NT”, ku është konstatuar se e njëjta është duke punuar pa leje për ushtrimin e veprimtarisë (NDN).
Për më tepër, inspektorët e tregut kishin konstatuar se “Spahia Petrol NT” as nuk kishte bërë për t’u pajisur me leje për ushtrimin e veprimtarisë.
Për shkak të kësaj gjetjeje të rëndë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut më 17 mars 2026 ka filluar procedurën për kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Divizioni për kundërvajtje në Suharekë kundër “Spahia Petrol”, me pronar Xhevat Spahija.
Por është e çuditshme që inspektorët edhe pse kanë konstatuar se kjo pompë e derivateve po operon pa leje, nuk evidentohet se të njëjtën e kanë mbyllur, por kanë mjaftuar për ‘kënaqjen e ligjit’ duke nisur vetëm një procedurë kundërvajtëse.









