“Rrezik për sigurinë kombëtare”, tërheqja e kërkesës nga Kushtetuesja – Krejt çka tha Osmani në konferencë

Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur dje një konferencë për media, ku njoftoi se ka tërhequr kërkesën e dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese, që lidhej me seancën konstituive të Kuvendit. Si arsye për këtë vendim, ajo përmendi caktimin e gjyqtarit serb Radomir Laban si raportues në këtë çështje.

Sipas Osmanit, ky gjyqtar është identifikuar si person që paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës, bazuar në raporte të institucioneve të sigurisë të viteve 2018, 2021 dhe 2024.

“Tërheqja e kësaj kërkese është e domosdoshme. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë”, tha Osmani në konferencë për media të martën.

Ajo sqaroi se gjyqtari Laban nuk është emëruar nga ajo, por në vitin 2018, dhe procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim me dy të tretat e anëtarëve të kësaj gjykate, çka e bën të pamundur ndërhyrjen e Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.

Osmani: Deputetët t’i drejtohen Kushtetueses nëse mbeten paqartësi

Presidentja u rekomandoi deputetëve që, pas publikimit të vendimeve për rastet e iniciuara nga PDK dhe LDK, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjet që mbeten të pasqaruara.

“Unë dua t’i inkurajojë deputetët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mandat të plotë që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, që pasi të publikohen vendimet në dy rastet e iniciuara nga partitë PDK dhe LDK, për çështjet që mbesin të pasqaruara dhe pas atij aktgjykimi që t’i adresohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, nën shpresën që nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues.

Unë nuk do ta inkurajoja asnjë institucion që ta linte lëndën në Gjykatën Kushtetuese, në qoftëse gjyqtar raportues, për temë kaq sensitive është fjala, vendoset ky gjyqtar, së paku derisa të sqarohet përfundimisht nga institucionet tona të drejtësisë”, theksoi ajo.

Kritika ndaj Gjykatës Speciale

Osmani foli edhe për Gjykatën Speciale, duke e quajtur shqetësues faktin që ajo pranon materiale nga Serbia.

“Për Gjykatën Speciale mendoj që është jashtëzakonisht shqetësuese që cilado gjykatë e krijuar nga Republika e Kosovës e cila e ka detyrim ligjor e kushtetues që të funksionojë sipas sistemit juridik dhe rregullave juridike të Kosovës që të pranojë prova të cilat i prodhon shteti i Serbisë. Është dëshmuar historikisht që çdo provë që e prodhon shteti i Serbisë, në veçanti kundër popullit shqiptar e UÇK-së, janë prova të falsifikuara të cilat kanë vetëm një synim që ta rishkruajnë historinë”, u shpreh ajo.

Presidentja theksoi se institucionet e Kosovës kanë shprehur zyrtarisht shqetësimet për përdorimin e këtyre provave dhe bëri thirrje për unitet në mbrojtjen e luftës çlirimtare:

“Është fat i keq për gjithë rajonin që akoma mbetjet e Millosheviqit që udhëheqin Serbinë dhe pikërisht për shkak se ende mendësia e njëjtë e viteve të 90-ta mbizotëron në Serbi, ata i përdorin të njëjtat metoda që i kanë përdorur edhe në vitet e 90-ta. Duhet të gjithë ne si institucione, si qytetarë, si popull, si komb t’i bashkojmë forcat në mbrojtjen e luftës së drejtë dhe çlirimtare të Republikës së Kosovës”.

Situata aktuale në Gjykatën Kushtetuese

Më 22 korrik, Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për interpretimin e pasojave juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor. Më 26 korrik, përfundoi afati për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Gjykata vendosi një masë të përkohshme që ndalon veprimet e deputetëve deri më 8 gusht. Aktualisht, Gjykata është duke shqyrtuar kërkesat e PDK-së dhe LDK-së mbi çështjen e konstituimit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit