Një konflikt mes dy të miturve ka përfunduar me therje me thikë pasditen e së enjtes në një lokal në Suharekë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot, më datën 23.07.2026, rreth orës 18:10, është raportuar se në një lokal në Suharekë, pas një fjalosjeje ndërmjet dy të miturve meshkuj, njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur tjetrin, duke i shkaktuar lëndime trupore. Menjëherë pas pranimit të informacionit, Policia ka reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes.”, tha Bytyqi.
“Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor”.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencë. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin policor, ku ndaj tij po vazhdojnë procedurat ligjore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Sektorit të Hetimeve të Stacionit Policor në Suharekë, së bashku me njësinë e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë grumbulluar provat materiale.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë incident.








