Aktorja e njohur kosovare, Shota Baraliu, është rikthyer në ekran pas një periudhe mungese, duke folur hapur për jetën e saj personale në emisionin “Weekend” në Klan Kosova.
Baraliu u shpreh se në raport me njerëzit është e hapur dhe e dashur, por sipas saj, sjellja ndryshon varësisht nga energjia që merr nga të tjerët.
“Të them të drejtën, më së pari unë me njerëz të mirë, njerëz që më njohin, e dinë që jam jashtëzakonisht e mirë. Jam e dashur, i bëj mirë njerëzit, i bëj me qesh, i bëj të gjitha. Me njerëz që s’janë të mirë, di të jem edhe e vështirë. Por në përgjithësi jam shumë e dashur me njerëz”.
Aktorja foli edhe për mungesën e saj në publik, duke sqaruar se nuk ka pasur ndonjë arsye të veçantë për t’u distancuar, por se kishte nevojë për një pauzë.
“Nuk kam ndonjë arsye konkrete pse jam zhdukur, por erdhi një moment kur u bëra vetja bajat. Nuk dua të më shohin çdo herë në televizion, sepse edhe publiku lodhet. Desha t’u jap mundësi të rejave në skenë. Kjo nuk do të thotë që e kam lënë profesionin”, u shpreh Baraliu.
Ajo theksoi se vazhdon të jetë aktive në profesion, por me një qasje tjetër.








