Rëndohet bilanci i viktimave nga të shtënat me armë në Shkodër, ndërron jetë në spital një prej të plagosurve.
Burime bëjnë me dije se personi që ndërroi jetë është truproja e anëtarit të grupit të Bajrit, Erogen Vasos (Brajoviç).
Autori i ngjarjes, i cili u vu në pranga vetëm pak minuta pasi kreu atentatin ka braktisur në vendngjarje motorin e tij dhe është larguar me një makinë.
Autori është përfshirë edhe në një aksident gjatë ndjekjes nga policia, por ka arritur të kalojë deri tek shinat e trenit në shtratin e lumit Kir.
Sakaq tre të plagosurit janë identifikuar si Erogen Vaso, një kameriere dhe një i njohur i Vasos, ndërsa viktima është identifikuar si shtetasi Armando Pali.
Erogen Vaso alias Brajoviç dyshohet të ketë qendë shënjestra e atentatit që tronditi Shkodrën mëngjesin e kësaj të hëne me një të vrarë dhe tre të plagosur. Erogen Vaso alias Brajoviç, i cili mbeti i plagosur, është vëllai i Denis Bajri (Brajoviç).
Vaso është një emër i njohur në Shkodër për shkak se ka qenë anëtar i këshillit bashkiak, por edhe i përfshirë në vepra kriminale. Emri i tij i Erogen Vaso doli në vitin 2023 në një dosje të SPAK si pjesë e grupit të Bajrave të Shkodër. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Fillimisht ka qenë këshilltar bashkiak me Partinë Bashkimi për Drejtat e Njeriut, që drejtohet nga Vangjel Dule. Në vitin 2007-të ai është akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”. Por pas kësaj akuze, Erogen Vaso është “rehabilituar” duke iu futur politikës.
Ndërsa vëllai i tij, Denis Bajri (Brajoviç) u ekstradua nga Dubai më 23 korrik të këtij viti.









